Në një aksion të ndërmarrë nga policia, janë arrestuar Land dhe Bardhok Kaba, dy djemtë e zv.drejtorit të Doganave, Garip Kaba. Sipas informacioneve të para, arrestimi ka ardhur pas një denoncimi për kërcënim ndaj ish-deputetit të Aleancës për Shqiptarët, Salim Sulejmani, i cili ka dhënë dorëheqje nga mandati i tij në Kuvend.
Lidhur me ngjarjen, ka reaguar vetë Garip Kaba, i cili mohon kategorikisht përfshirjen e djemve të tij në ndonjë akt kërcënimi, ndërsa akuzon pushtetin aktual për shantazhe politike dhe përndjekje të qëllimshme ndaj tij për shkak të afërsisë me liderin e ASH-së, Arben Taravari.
“Shpresoj që kjo të jetë një gabim dhe e vërteta të dalë në sipërfaqe. Shpifja dhe kërcënimi nuk janë pjesë e kulturës së familjes sime, por as e kulturës së shqiptarëve të vërtetë. Kam duruar shumë vite dhe asnjë regjim nuk më ka thyer!”, shkruan ndër të tjera Kaba në reagimin e tij.
Ai e quan aksionin një përndjekje nga një “regjim hibrid” që, sipas tij, po ushtron presion përmes shpifjeve dhe fabrikimeve, duke përmendur edhe një thirrje indirekte ndaj Salim Sulejmanit, që e quan “hoxha i ngujuar nga Malet e Sharrit”.
Hetimet rreth rastit vijojnë, ndërkohë që pritet edhe një deklaratë zyrtare nga organet kompetente.