Kosovë Lajme

Arbër Vokrri sqaroi deklaratën për ndërkombëtarët dhe trazirat në veri: “Nuk është qëndrim i qeverisë, por as i imi”

    Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka bërë një sqarim në emisionin Pressing lidhur me deklaratën e tij të mëhershme se “ndërkombëtarët kanë nxitur trazira në veri”. Ai tha se kjo nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të qeverisë, edhe pse është pjesë e saj.

    Vokrri theksoi se deklarata e tij erdhi si reagim ndaj kritikave të vazhdueshme nga ndërkombëtarët për veprimet e institucioneve të Kosovës në veri të vendit, që sipas tij, janë pjesë e vendosjes së rendit dhe ligjshmërisë. Ai shtoi se nuk ka pasur trazira apo reagime të qytetarëve serbë në veri ndaj këtyre veprimeve, dhe se përdorimi i termit “tensionim” nga ana e ndërkombëtarëve po bëhet pa bazë konkrete.

    “Nëse vazhdimisht veprimet e ligjshme të institucioneve tona përshkruhen si tensionim, atëherë detyrohesh të bësh një reagim si ky im,” tha ai.

    Në fund, Vokrri e theksoi se po i referohej disa shembujve nga diplomatë ndërkombëtarë që mund të kenë krijuar përshtypjen se inkurajojnë një pjesë të komunitetit serb në veri që të mbajnë pozicione kundër autoriteteve të Kosovës.

    Megjithatë, ai përfundoi duke thënë:
    “Nuk është qëndrim i qeverisë, por as i imi”, duke e lënë të hapur interpretimin për natyrën personale dhe momentale të komenteve të tij./press7.tv