Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka reaguar me një status të fuqishëm në rrjetin social Facebook, ku thekson se kundërshtari i vetëm politik i Aleancës për Shqiptarët është Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), duke përjashtuar çdo bashkëpunim me individë apo grupe që, sipas tij, përpiqen të faktorizohen në kurriz të Aleancës.
“Nuk kemi kohë të merremi me patericat e BDI-së, kushdo qofshin ata,” ka shkruar Fetai, duke bërë thirrje për fokusim dhe unitet brenda partisë që udhëheq një betejë të qartë kundër keqqeverisjes dhe korrupsionit.
Sipas tij, 107 mijë shqiptarë i kanë dhënë besën Aleancës për ndryshim dhe kjo besë nuk do të tradhtohet. “Protagonizmi dhe provokimet nga individë që zgjodhën t’i shërbejnë të keqes nuk na ndalin. Ata kanë zgjedhur rrugën e turpit dhe të nënshtrimit. Populli tashmë i ka çveshur dhe do t’i gjykojë,” shton më tej ai.
Fetai, megjithatë, i fton të gjithë bashkëaktivistët që mund të jenë keqinformuar të rikthehen në rrugën e përbashkët. “Ata janë vëllezërit dhe motrat tona,” shkruan ai, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së unitetit në këtë moment të rëndësishëm politik.
Në fund të statusit të tij, Fetai u bën thirrje aktivistëve të mos bien pre e provokimeve dhe të qëndrojnë të përqendruar në misionin që kanë përpara: ndryshimin dhe ndërtimin e një qeverisjeje të drejtë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.