Graz, Austri – Një ngjarje tragjike ka ndodhur sot në një shkollë në qytetin Graz të Austrisë, ku, sipas raportimeve, ka pasur një sulm të armatosur (amok). Ministria e Brendshme austriake ka konfirmuar se ka disa të vdekur, përfshirë nxënës dhe mësues.
Policia ka nisur një operacion të madh në vendngjarje. Sipas njoftimeve zyrtare, arsyeja për ndërhyrjen ka qenë raportimi për të shtëna armësh brenda ndërtesës shkollore. Forcat speciale të njohura si “Einsatzkommando Cobra” janë të pranishme në vendngjarje dhe situata mbetet ende e paqartë.
Televizioni publik austriak “ORF” raporton se Ministria e Brendshme ka konfirmuar disa viktima. Ndërkohë, gazeta “Krone Zeitung” ka raportuar për pesë të vdekur, megjithatë pa dhënë burime të sakta. Po sipas “Krone”, i dyshuari për sulmin është plagosur me armë zjarri dhe aktualisht është në duart e autoriteteve.
Shkolla po evakuohet dhe forcat e rendit kanë rrethuar zonën për të garantuar sigurinë e nxënësve dhe stafit. Detaje të mëtejshme priten në vijim, ndërkohë që autoritetet po hetojnë motivet e ngjarjes.