Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, ka shprehur besimin se kriza aktuale institucionale në vend do të tejkalohet përmes një zgjidhjeje politike. Ai theksoi se, pavarësisht zgjatjes së situatës, Kosova ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet për të dalë nga ngërçi institucional.
“Unë mendoj që do të gjendet një zgjidhje politike. Pa dyshim që është zgjatur, por Kosova i ka të gjitha forcat, të gjitha mundësitë që të shkojë drejt zgjidhjeve dhe formimit të institucioneve të veta,” u shpreh ambasadori Malaj.
Deklarata e tij vjen në një moment kritik për skenën politike në Kosovë, ku tensionet mes subjeketeve politike janë thelluar për shkak të situatës aktuale politike. Thirrjet për bashkëpunim institucional nga ana e kryeministrit Albin Kurti janë hasur me skepticizëm nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërkohë që takime të papritura mes figurave politike si ai i ditës së djeshme i biznesmenit Devolli me nënkryetarin e LDK- Muhaxheri, kanë ngritur pikëpyetje rreth transparencës dhe prioriteteve të partive opozitare.
Në këtë kontekst, optimizmi i ambasadorit Malaj shihet si një sinjal mbështetës për stabilitet dhe dialog politik në funksion të normalizimit institucional në vend.