Kosovë Lajme

Aivo Orav: Kosova duhet të jetë pjesë e së ardhmes evropiane

    Në Ditën e Evropës, Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka shprehur qartë mbështetjen për integrimin e Kosovës në bllokun evropian. Gjatë një deklarate për mediat, Orav theksoi rëndësinë historike dhe vlerat themelore të Bashkimit Evropian si një projekt unik paqeje.

    “Kjo ditë na ofron një moment reflektimi për arritjet e deritanishme të BE-së, por edhe një mundësi për të ëndërruar për të ardhmen,” tha ai. Orav e cilësoi Bashkimin Evropian si projektin më të suksesshëm të paqes në historinë moderne, duke nënvizuar faktin se, që nga themelimi i tij, asnjë luftë nuk ka shpërthyer në territorin e tij.

    Duke folur për perspektivën e Kosovës, ai u shpreh me bindje se vendi duhet të jetë pjesë e kësaj të ardhme të përbashkët evropiane. “Shpresa ime e sinqertë është që edhe Kosova të jetë me ne në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur,” u shpreh Orav.

    Ky mesazh përforcon mbështetjen e Brukselit për rrugën evropiane të Kosovës.