Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka uruar qytetarët me rastin e 1 Majit – Ditës Ndërkombëtare të Punës, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite si simbol i luftës për të drejtat e punëtorëve, drejtësinë sociale dhe jetën me dinjitet.
“Në këtë ditë nderojmë të gjithë ata që jetojnë nga puna e tyre, që punojnë me ndershmëri dhe përkushtim për një të ardhme më të mirë për veten, familjet dhe shoqërinë tonë,” u shpreh Gashi.
Ai theksoi se punëtorët janë shtylla e çdo shoqërie dhe ekonomie, ndërsa institucionet shtetërore kanë për detyrë të krijojnë kushte për punë të sigurt, të drejtë dhe me dinjitet për të gjithë.
“Puna juaj meriton të vlerësohet me respekt dhe përkrahje. Në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit, ju uroj shëndet të mirë, jetë me dinjitet dhe suksese të vazhdueshme profesionale. Gëzuar 1 Maji – Dita e Punës,” përfundon urimi i Gashit.