Kosovë Lajme

Abdixhiku propozon qeveri nacionale tranzitore për tejkalimin e krizës politike

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka dalë me një propozim konkret për tejkalimin e krizës së thellë institucionale që ka përfshirë vendin: formimin e një qeverie nacionale tranzitore me pjesëmarrjen e të gjitha partive shqiptare, e cila do të funksionojë deri në zgjedhjen e presidentit të ri.

    Në një deklaratë për media, Abdixhiku theksoi se kriza aktuale është rezultat i paaftësisë së partisë në pushtet për të ndërtuar partneritete politike dhe për të krijuar një shumicë të qëndrueshme.

    “LDK-ja, siç dihet, në zgjedhjet e 9 shkurtit ka hyrë me një program dhe qëndrime të qarta lidhur me bashkëpunimin politik. Për shkak të mungesës së besimit dhe stagnimit katërvjeçar, që ka përfshirë rrezikimin e aleancave strategjike, dobësimin e demokracisë, sulmet ndaj institucioneve të pavarura dhe politizimin e thellë të shoqërisë, LDK e sheh të pamundur bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje,” deklaroi Abdixhiku.

    Ai theksoi se tejkalimi i kësaj bllokade është prioritet kombëtar dhe se është e nevojshme një vetëdije e lartë politike për ta kaluar këtë fazë.

    “LDK propozon nisjen e një procesi të ri politik, fillimisht përmes konsultimeve me të gjitha partitë politike shqiptare, me qëllim krijimin e një qeverie nacionale tranzitore me mandat të qartë deri në zgjedhjen e presidentit të ri,” u shpreh ai.

    Abdixhiku nënvizoi se nuk sheh arsye për t’u takuar me kryeministrin Albin Kurti, pasi qëndrimi i LDK-së i është përcjellë atij me shkrim. Megjithatë, ai shprehu gatishmëri për të zhvilluar takime me liderët e tjerë politikë në çdo moment që ata shprehin interesim.