Bejxhan Iljas i hapur për hyrje në qeveri, por jo përmes VLEN-it – kërkon ministër për komunitetin turk
Lideri i Partisë Demokratike të Turqve dhe deputeti Bejxhan Iljas ka shprehur gatishmërinë për të hyrë në qeveri, por vetëm përmes negociatave të drejtpërdrejta me kryeministrin dhe jo nëpërmjet koalicionit opozitar VLEN.
Në një prononcim për “360 stepeni”, Iljas theksoi se do të kërkojë përfaqësim ministror për komunitetin turk, si dhe investime konkrete në zonat ku jeton ky komunitet, duke veçuar mungesën e infrastrukturës bazike si uji i pijshëm.
“Një nga kërkesat do të jetë që turqit të kenë një ministër që të punohet për zgjidhjen e problemeve të tyre. Por, kjo nuk do të jetë më e rëndësishmja. Në parti do të diskutohet për realizimin e projekteve, sepse ka vende ku jetojnë turq pa pasur ujë. Nuk duhet të përqendrohemi vetëm në një projekt,”
shtoi Iljas.
Gjithsesi, ai thekson se kongresi i rregullt i partisë do të mbahet më 25 maj, dhe se do të jenë strukturat e reja ato që do të marrin vendimet për hapat në vijim.
Ndërkohë, deputeti Sali Murati ka mohuar çdo spekulim për një afrim me qeverinë dhe ka konfirmuar se mbetet pjesë e Frontit Evropian.
Situata politike mbetet dinamike, pasi një nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, deklaroi se përkundër largimeve të disa figurave si Arben Taravari, ekziston interes nga faktorë të tjerë opozitarë për t’iu bashkuar shumicës qeveritare. Sipas tij, janë zhvilluar biseda dhe janë dhënë sinjale për gatishmëri nga aktorë që deri tani kanë qenë pjesë e opozitës.