Deputeti shqiptar në Serbi, Shaip Kamberi, ka ngritur alarmin lidhur me rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi, duke kujtuar se 135 shqiptarë humbën jetën në rrethana të dyshimta gjatë shërbimit në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ).
Sipas Kamberit, kujtesa kolektive e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe Kosovë vazhdon të dominohet nga rastet e ushtarëve shqiptarë që u vranë gjatë viteve ’70 dhe ’80, ndërsa autoritetet jugosllave i klasifikonin ato si “vetëvrasje”, “aksidente” apo “shkelje disipline”.
Ai thekson se familjet e viktimave shpesh raportonin gjurmë dhune në trupat e të rinjve të kthyer nga ushtria, ndërsa mungesa e hetimeve të pavarura dhe transparencës ka shtuar dyshimet për motive etnike dhe politike pas këtyre vrasjeve.
Kamberi deklaron se shqiptarët në ish-Jugosllavi përballeshin me diskriminim sistematik brenda ushtrisë, sidomos pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, kur shqiptarët trajtoheshin si “element separatist” dhe të pabesueshëm për shtetin federativ.
Në reagimin e tij, ai kritikon faktin që Serbia asnjëherë nuk ka pranuar zyrtarisht përgjegjësi për këto raste dhe nuk ka hapur hetime institucionale mbi vdekjet e shqiptarëve në APJ. Sipas tij, arkivat ushtarake vazhdojnë të mbeten të mbyllura, ndërsa tema është lënë jashtë diskursit publik dhe historiografisë serbe.
Për këtë arsye, Kamberi ka propozuar formimin e një Komisioni të posaçëm parlamentar që do të hetojë rastet e vdekjes së 135 shqiptarëve në radhët e APJ-së gjatë viteve ’80. Ai kërkon që në këtë komision të përfshihen edhe organizata për të drejtat e njeriut, ekspertë të drejtësisë tranzicionale dhe përfaqësues të komunitetit shqiptar.
Sipas Kamberit, pa zbardhjen e këtyre rasteve dhe pa ballafaqim serioz me të kaluarën, rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi do të vazhdojë të shihet me mosbesim nga shqiptarët e Luginës së Preshevës.

