Botë Lajme

Europoli arreston figurat kyç të “Kartelit Ballkanik” në Gjermani

Tre persona janë arrestuar dhe mbi pesë milionë euro asete kriminale janë konfiskuar në kuadër të një operacioni policor në Gjermani kundër një celule të grupit të ashtuquajtur “Karteli Ballkanik”. Europoli ka njoftuar se në operacion janë përfshirë zyrtarë nga Austria, Bosnje-Hercegovina, Kroacia dhe Serbia më 10 dhjetor.

Operacioni i koordinuar pati cak disa “Objektiva me Vlerë të Lartë” që banonin në Gjermani, të cilët dyshohen se janë figura kyçe brenda Kartelit Ballkanik, ka thënë Europol. Hetimi zbuloi se kjo celulë kriminale ishte përgjegjëse për transportime me shumë tonë kokaine që vinin nga Kolumbia dhe përdornin metoda të ndryshme për të kontrabanduar drogën në Evropë.

Rrjeti ishte gjithashtu i përfshirë në pastrimin e parave përmes kompanive dhe pasurive të paluajtshme në disa vende të BE-së dhe më gjerë.

Rreth 500 policë u përfshinë dhe 45 objekte u bastisën. Gjatë kontrolleve u sekuestruan rreth 50,000 euro para, dy monedha ari, një numër i madh sendesh luksoze si bizhuteri, ora, çanta, tre automjete me vlerë të lartë, si dhe prona në Gjermani dhe jashtë saj. Për më tepër, u gjetën dhe u sekuestruan dokumente dhe pajisje elektronike të ndryshme, si edhe një armë zjarri e mbushur me municion.

Europoli ka bërë të ditur se i dyshuari kryesor është me origjinë nga Ballkani Perëndimor që jeton në Gjermani.

Exit mobile version