Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka thënë se Edon Zhegrova pati një pjesë të parë shumë të mirë kundër Pafosit, por i duhet të përmirësohet ende fizikisht.
Trajneri italian gjithashtu ka dhënë vërejtje për mbrojtësin Pierre Kalulu dhe mesfushorin Weston McKennie, të cilët ai u shpreh se nuk e ndihmuan fare Zhegrovën në krahun e djathtë.
“Sipas mendimit tim, Edoni luajti shumë mirë në pjesën e parë. Megjithatë, ai ka nevojë të përmirësojë aspektin fizik. Gjatë pjesës së parë, as Kalulu e as McKennie nuk e ndihmuan, duke e lënë herë pas here të luajë 1 kundër 1, sepse qëndronin shumë lart dhe ‘mbytnin’ zonën e tij”, ka thënë Spalletti pas ndeshjes.
26-vjeçari nga Kosova dje startoi për herë të parë për Juventusin që kur u transferua në shtator.
Në ndeshjen kundër Pafosit në Ligën e Kampionëve, të cilën Juve e fitoi 2:0, Zhegrova nuk la gjurmë. U zëvendësua me të nisur pjesa e dytë.
