Botë Kosovë Lajme

Ibrahim Haliti qëlloi mbi konsullin rus më 31 mars të 1903-tës

Burimet ruse e kanë evidentuar se “edhe pse shqiptarët ishin zmbrapsur nga Mitrovica, një numër i konsiderueshëm ende mbeti në perëndim të qytetit duke precizuar se në mbrëmjen e 31 marsit, konsulli Shçerbina vendosi të njihej personalisht me situatën dhe njëkohësisht të bënte shëtitjen e zakonshme… Atë mbrëmje fatale ai shoqërohej nga kozaku Georgiy Polovin, gavazi shqiptar Xhemali dhe nëpunësi serb nga Mitrovica, Trifun Popadiq. Në çastin kur konsulli po kalonte fare pranë, njëri prej ushtarëve shqiptarë qëlloi mbi të. “Shçerbina qëndroi në pjesën jugore të Mitrovicës, pasi atje ishte përqendrimi më i madh i forcave mbrojtëse. Në orët e mbrëmjes derisa po kthehej në afërsi të stacionit hekurudhor te magazina e municioneve, onbasha (tetari) Ibrahim Haliti nga Llashtica e Gjilanit, qëlloi mbi konsullin Shçerbina”, shkruajnë burimet serbe. “Ruani serbët në Kosovë, se Kosova është serbe”, shkruhej të ketë qenë amaneti i tij

“Besa midis kryengritësve shqiptarë ishte arritur në Klinë, ndërsa numri i shqiptarëve kryengritës arrinte në 3000”, thuhej në raportin e konsullit austro-hungarez Bogumil Para, dërguar prej Shkupi. “Pasi e pushtuan Vushtrrinë, kryengritësit shqiptarë e kanë rrethuar Mitrovicën”, ishte njëri prej raporteve të para të konsullit Grigori Stepanoviç Shçerbina drejtuar konsullit Mashkov në Shkup. Ndërsa, tash diheshin edhe emrat e atyre që i prinin “kryengritjes së shqiptarëve në Mitrovicë dhe ata ishin Jashar Boletini, Shaban Jashari, Bejtë Selaci e të tjerë. Informacionet e konsullit rus ishin të sakta, por zhurma që pakica serbe e krijoi dukej se kishte dhënë rezultate!”

“Ushtria e ka marrë urdhrin që të mos qëllojë mbi kryengritësit shqiptarë nëse ata hyjnë në qytet, prandaj është shumë vështirë që në sulmin e tyre të mos pësojnë serbët lokalë, bile do të jenë me fat ata që shpëtojnë të gjallë. Ata janë këmbëngulës dhe do t’ia dalin që ta dëbojnë edhe konsullin rus”, ishin informacionet që përfaqësuesit e serbëve i kishin shpërndarë jo vetëm në krahinën e Mitrovicës, por edhe më gjerë. Ndër reagimet e para kundër kryengritjes ishte ai i Hilmi Pashës i cili urdhëroi që regjimenti i artilerisë që ishte stacionuar në Mitrovicë me qëllim të pengimit të futjes së kryengritësve në qytet të vendosej në gjendje gatishmërie. Kur kryengritësit tashmë donin të marshonin në qytet, u dha urdhri që të qëllohej mbi ta, mirëpo komandantët refuzuan ta zbatonin urdhrin! Kjo situatë e detyroi vetë komandantin e ushtrisë Said Beun, të vendoste rend dhe ai me dorë të vet i ekzekutoi disa nizamë. Megjithatë në pasditen e 30 marsit në Mitrovicë arritën të hynin rreth 2000 kryengritës. Luftimet zgjatën disa orë edhe pse nuk bëhej fjalë për forca të barabarta, pasi vetëm garnizoni i Mitrovicës i numëronte rreth 3000 trupa. Megjithatë, konsulli i porsaardhur në Mitrovicë, Shçerbina mbeti i kënaqur, pasi gjatë përleshjeve qëndroi pranë forcave turke duke i përcjellë luftimet për së afërmi dhe në fund të ditës ai kishte konstatuar se në hyrje të qytetit kishin mbetur të vrarë 200–300 kryengritës shqiptarë. Mirëpo edhe kjo nuk i kënaqi disa krerë të serbëve vendorë dhe një pjesë e tyre gjetën strehim në konsullatën ruse, pasi në Mitrovicë ata tashmë e kishin heroin e tyre dhe ai quhej Grigori Stepanoviç Shçerbina. Ata u entuziazmuan veçmas kur në prezencë të vetë konsullit rus, ushtria turke i sulmoi kryengritësit shqiptarë, siç u tha më lart, me topa.

Pasditen e 31 marsit, kur situata paksa u qetësua, dhe kur sërish u përhapën lajme se kryengritja do të vazhdojë, konsulli rus Shçerbina në përcjellje të disa oficerëve dhe ushtarëve doli që të ndiqte situatën më për së afërmi. Ndërsa burimet ruse e kanë evidentuar se “edhe pse shqiptarët ishin zmbrapsur nga Mitrovica, një numër i konsiderueshëm ende mbeti në perëndim të qytetit duke precizuar se në mbrëmjen e 31 marsit, konsulli Shçerbina vendosi të njihej personalisht me situatën dhe njëkohësisht të bënte shëtitjen e zakonshme… Atë mbrëmje fatale ai shoqërohej nga kozaku Georgiy Polovin, gavazi shqiptar Xhemali dhe nëpunësi serb nga Mitrovica, Trifun Popadiq. Në çastin kur konsulli po kalonte fare pranë, njëri prej ushtarëve shqiptarë qëlloi mbi të. Duke ndjerë dhimbje të tmerrshme në shpinë, Shçerbina i rraskapitur u shemb ngadalë përtokë, duke bërtitur dhe duke ia bërë me dorë drejt shqiptarit që qëlloi mbi të ‘Ai më vrau’”.

Ndërsa burimet diplomatike serbe e kanë theksuar arsyen e qëndrimit të konsullit në atë pjesë të qytetit dhe njëkohësisht kanë ofruar edhe detaje rreth identitetit të shqiptarit që qëlloi mbi konsullin rus.

Plumbi në shenjë hakmarrjeje pas urdhrit për vrasjen e shqiptarëve

“Shçerbina qëndroi në pjesën jugore të Mitrovicës, pasi atje ishte përqendrimi më i madh i forcave mbrojtëse. Në orët e mbrëmjes derisa po kthehej në afërsi të stacionit hekurudhor te magazina e municioneve, onbasha (tetari) Ibrahim Haliti nga Llashtica e Gjilanit, qëlloi mbi konsullin Shçerbina. Në shkëmbim të zjarrit Ibrahimi u plagos nga përcjellësit e konsullit dhe u arrestua menjëherë. Ndonëse konsullin e çuan në konsullatë, Ibrahimi u dërgua në spitalin ushtarak ku edhe u mor në pyetje. Para hetuesëve, Ibrahim Haliti deklaroi se kishte shtënë mbi Shçerbinën në shenjë hakmarrjeje, pasi një familjar i tij ishte vrarë në hyrje të Mitrovicës një ditë më herët.

Lidhur me emrin e vrasësit të konsullit ekzistojnë informacione të ndryshme. Burimet diplomatike austro–hungareze dëshmojnë se ai ishte Ibrahim Haliti nga Zhegra ndërsa historiani Vlladimir Çoroviq (1885 – 1941) në librin “Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Austro-Hungarisë në shekullin e XX, të botuar në vitin 1936, ka shkruar se vrasësi i konsullit rus quhej Ibrahim Popoci nga fshati Sukë i Gjilanit. Dëshmitarë serbë brenda Kosovës, vrasësin e kanë identifikuar si Ibrahim Haliti nga Llashtica e Gjilanit. Edhe pse në shtypin e kohës është shkruar se përkundër që Shçerbina ishte në gjendje të rëndë ai madje ka komunikuar me Ibrahimin dhe i ka premtuar falje nëse ai do t’i tregonte drejt se kush ishin ata që e kishin shtyrë Ibrahimin që ta ndërmerrte këtë veprim dhe i kujt kishte qenë plani, mirëpo Haliti nuk e kishte ndryshuar dëshminë e dhënë as para Shçetbinës por edhe herëve të tjera sa herë që ai u paraqit para hetuesve. Ndërsa raportin e 4 prillit 1903, konsulli austro-hungarez B. Para, ka ofruar detaje rreth vrasjes së konsullit Shçerbina.

“Në pasditen e datës 31 të muajit të kaluar u raportua se shqiptarët që ishin kthyer një ditë më parë në pozicionet e tyre ishin në numër të madh dhe ata tashmë ishin tubuar në fshatin Svinjarë me qëllim që të nesërmen të hynin në Mitrovicë. Konsulli Shçerbina nuk frenohej dhe i shoqëruar nga dy gavazë, tre policë, dy xhandarë dhe katër ushtarë shkoi në pjesën jugore të qytetit. Kur ai po kthehej në afërsi të stacionit hekurudhor, ora ishte rreth gjashtë e mëngjesit. Në pjesën e qytetit ku ndodhej kazerma, ai e takoi atentatorin, nëntetarin Ibrahim Halitin i cili po shkonte në depon e municioneve. Vetë Haliti ka deklaruar se e ka kryer vrasjen për hakmarrje, sepse… konsulli Shçerbina kishte urdhëruar që një ditë më parë kryengritësit shqiptarë të qëlloheshin me artileri dhe si pasojë ishin vrarë edhe familjarët e Halitit. Kur ai u soll në konsullatën ruse dhe konsulli Shçerbina iu drejtua me pyetje, Haliti ngeli i palëkundur në qëndrimet e tij të mëparshme”. Pra i vetmi ndryshim në raportet diplomatike vërehet lidhur me kohën, pasi burimet serbe dhe ruse vrasjen e paraqesin në orët e vona të mbrëmjes ndërsa burimet austro-hungareze dëshmojnë se ajo ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit.

Exit mobile version