“Shumë ndihmova… – në Besë më prenë…
Shumë më shitën… – por kurrë nuk më blenë!”
Me këto fjalë të ngarkuara me zhgënjim dhe revoltë, Lulzim Nasufi – kryetar i degës së Aleancës për Shqiptarët në Strugë – ka lënë të kuptohet se është lënë në hije nga lideri Ziadin Sela, pikërisht në momentin kur Struga kishte më së shumti nevojë për një kandidat me mbështetje reale, opozitar të vërtetë dhe me peshë në elektorat.
Sipas burimeve nga brenda partisë, Lulzim Nasufi kishte rejtingun më të lartë si kandidat për komunën e Strugës, gëzonte respekt të jashtëzakonshëm në mesin e qytetarëve dhe anëtarësisë së ASH-së, si dhe kishte ndërtuar profilin e një kundërshtari të paepur të keqqeverisjes së Ramiz Merkos. Ai njihet për denoncimet e tij të guximshme ndaj krimeve urbane, klientelizmit dhe keqpërdorimeve të pushtetit lokal.
Por, në vend të një kandidature të denjë dhe me mbështetje të gjerë, Ziadin Sela vendosi t’i propozojë opinionit Arsim Dalipin – një emër që në Strugë nuk ngjall as besim e as entuziazëm.
Kjo nuk është vetëm një zhgënjim personal për Nasufin, por një sinjal alarmi për gjithë ata që kërkojnë ndryshim të vërtetë në Strugë. U pre në Besë – nga vetë partia që ai e ndërtoi dhe mbrojti në vitet më të vështira.
Në këtë betejë, Lulzim Nasufi u sakrifikua politikisht nga strukturat që sot duket se më shumë llogarisin në lëvizje të mbyllura sesa në vullnetin real të anëtarësisë dhe qytetarëve thekson burimi. /press7.tv