Zyra e Presidentit, përveç studimit të fizibilitetit për ndërtimin e objektit të Presidencës, për këtë vit ka planifikuar që ta hapë procesin e prokurimit edhe për projektimin e tij, në vlerë të parashikuar prej 350 mijë eurosh. E, pak orë pasi që KOHA ka raportuar për detajet që lidhen me objektin, ka reaguar institucioni më i lartë i shtetit, sipas të cilit plani është bërë pjesë e tenderit pa aprovimin e presidentes Vjosa Osmani. Por në këtë institucion nuk i kanë sqaruar rrethanat e moskoordinimit të brendshëm
Presidenca ka paralajmëruar se do të kërkojë që plani ideor, i shpallur për ndërtimin e objektit të saj, të revidohet, me arsyetimin që t’u përshtatet specifikave dhe nevojave reale të shtetit.
Paralajmërimi është bërë të enjten kur është mbyllur afati për dorëzimin e ofertave për hartimin e planit të fizibilitetit për ndërtimin e këtij objekti, për të cilin ka raportuar KOHA.
Bazuar në platformën publike të prokurimit, autoritet kontraktues figuron Zyra e Presidentit. Dokumentet zyrtare kanë treguar se është kërkuar që ideja fillestare për dukjen e objektit të Presidencës, mes tjerash, të përfshijë edhe suita gjumi për presidentin, dhoma private për familjen, dhoma private për darka familjare, dhoma leximi, kopsht e oborr privat dhe pesë dhoma mysafirësh.
Por në një sqarim të Presidencës është thënë se plani ideor nuk ka qenë i autorizuar prej presidentes Vjosa Osmani.
“Presidentja ka kërkuar urgjentisht të gjenden mundësitë ligjore për të ndryshuar specifikacionet aktuale, të cilat nuk paraqesin aspak idenë e saj për një objekt zyrtar presidencial (e assesi ndonjë rezidencë private). Ndërtimi i një objekti të tillë për Presidencën (e jo për presidenten Osmani) nuk është luks, por domosdoshmëri shtetërore, për të garantuar kushte dinjitoze pune, siguri dhe përfaqësim të denjë për shtetin e Kosovës”, është thënë në reagimin e Presidencës, të publikuar të enjten në Facebook.
Ligji për Prokurim Publik kërkon që para hapjes së tenderit, duhen listuar me shkrim të gjitha nevojat.
Para se të fillohet me ushtrimin e çfarëdo aktiviteti të prokurimit, ZKA i autoritetit kontraktues duhet të sigurojë që të bëhet një vlerësim formal i nevojave dhe që rezultatet e këtij vlerësimi të regjistrohen formalisht me shkrim dhe të ruhen në dokumentacionin e autoritetit kontraktues”, thuhet në nenin 9, pika 1 e Ligjit për Prokurim Publik.
Të premten, në Zyrën e Presidentes nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS nëse ka pasur moskoordinim të brendshëm para shpalljes së tenderit dhe as nuk kanë ofruar informacione mbi idenë e Osmanit për dukjen e objektit.
Pavarësisht zotimit për revidim, njohës të proceseve të prokurimit kanë thënë se anulimi i tenderit do të përbënte shkelje.
Leorenta Alija, hulumtuese në organizatën joqeveritare Demokraci Plus, ka thënë se Zyra e Presidentit tashmë ka hyrë në afatin ligjor për vlerësimin e ofertave.
“Nëse në këtë procedurë janë paraqitur oferta të përgjegjshme, sipas kritereve të përcaktuara nga autoriteti kontraktues, çdo anulim i procedurës pas hapjes së ofertave do të ishte në kundërshtim me nenin 62 të Ligjit për Prokurimin Publik. Një veprim i tillë do të krijonte pasoja ligjore për autoritetin kontraktues, në këtë rast për Zyrën e Presidencës”, ka theksuar ajo.
Bazuar në Ligjin për Prokurim, autoritetet kontraktuese mund ta anulojnë një aktivitet prokurimi vetëm në rast se ka shkelje të ligjit, nëse të gjitha ofertat e tejkalojnë ndjeshëm buxhetin apo nëse para hapjes së tenderëve paraqiten arsye objektive dhe të paparashikueshme.
Autoriteti kontraktues mund ta përfundojë atë aktivitet të prokurimit, i cili nuk do të rezultojë në dhënien e kontratës vetëm për njërën nga arsyet: 1.1. një shkelje e ligjit aktual ka ndodhur apo do të ndodhë në procedurën e prokurimit, e cila nuk mund të rregullohet apo të parandalohet përmes një amendamenti ligjor të kushteve të prokurimit, duke i përfshirë edhe rastet ku një dispozitë e këtij ligji e kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit; 1.2. të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit; apo 1.3. para hapjes së tenderëve, ndërprerja e aktivitetit të prokurimit është bërë e nevojshme për shkak të ngjarjeve objektive dhe që mund të demonstrohen dhe/ose arsyeve që janë jashtë kontrollit të autoritetit kontaktues dhe që nuk mund të parashikoheshin në kohën e inicimit të aktivitetit të prokurimit”, thuhet në nenin 62 të Ligjit për Prokurim Publik.
Ndonëse Presidenca ka paralajmëruar shqyrtim të mundësive ligjore për ndryshim të specifikave të kërkuara për objektin, hartimi i studimit të fizibilitetit për këtë projekt ka qenë pjesë e Planifikimit të Prokurimit që është dërguar në Agjencinë Qendrore të Prokurimit, në fund të dhjetorit të vitit të shkuar. Bazuar në këtë planifikim, nisja e procesit të prokurimit për studim fizibiliteti do të duhej të niste në shkurt me po të njëjtën vlerë, prej 25 mijë eurosh. Përveç fizibilitetit, në planin e prokurimit të Presidencës është listuar edhe hapja e konkursit për projektimin e objektit të Presidencës, me vlerë të parashikuar të kontratës prej 350 mijë eurosh.