Ish-ambasadori i Shqipërisë, Arben Çejku, i ka reaguar Ali Ahmetit, pasi ky i fundit ka dalë në mbrojtje të kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Në një koment në postimin e Ahmetit, Çejku e këshillon atë të mos vazhdojë të mbështesë Ramën, duke e akuzuar këtë të fundit se po vepron për interesa personale.
“Zoti Ahmeti, të këshilloj si mik të mos vazhdoni të mbështesni një autokrat që po përgjak popullin e tij për karrigen e vet dhe interesat personale, sepse kjo është një njollë që do ju mbetet gjatë!”, shkruan Çejku.
Ai i bën thirrje Ahmetit që t’i kërkojë Ramës të reflektojë dhe të kuptojë se, sipas tij, ka hyrë në një rrugë pa krye.
Çejku rikujton edhe marrjen e “çelësit të Tiranës” nga Erion Veliaj, duke e lidhur këtë me humbjen e zgjedhjeve dhe zhvillimet e mëvonshme që lidhen me ish-kryebashkiakun e Tiranës.
Në fund, ish-ambasadori thekson se dashuria për atdheun kërkon paanshmëri, veçanërisht në një periudhë të vështirë për Shqipërinë.

