Sport

Prishtina e fiton derbin e xhiros së parë

Prishtina e ka fituar kryendeshjen e xhiros së parë të elitës së futbollit kosovar ndaj Ballkanit. “Bardhekaltrit” para tifozëve të vet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, fituan përballë Ballkanit të Suharekës me rezultatin 4:2.

Përveç gjashtë golave, në këtë ballafaqim pati edhe shumë raste shënimi e një karton i kuq.

Pjesa e parë u mbyll me epërsinë 3:1 të Prishtinës. Albin Krasniqi me dy gola në në nisje të ndeshjes. Fillimisht shënoi për 1:0 në minutën e 10-të, e më pas e dyfishoi epërsinë pas afro 20 minutave lojë. Ballkani u kthye në lojë me golin e Valentin Serebes nga penalltia që e fitoi vetë. Por, skuadra e udhëhequr nga trajneri Orges Shehi, që e zëvendësoi në postin e trajnerit Alban Dragushën, nuk u dorëzua dhe realizoi tjetër gol për pushim më të qetë. Ish-futbollisti i Malishevës, Assane Diatta, shënoi për 3:1 në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Me të nisur pjesa e dytë, Engjëll Ajazaj shënoi për 3:2 dhe e hapi sërish sfidën. Por, kartoni i kuq i Ivica Batarelos ndikoi në rezultat. Batarelo e ndali në mënyrë të palejuar Diattan në hyrje të zonës së rrezikshme dhe pas rishikimit të situatës në VAR, gjyqtari Genc Nuza e përjashtoi atë nga loja. Nga goditja e dënimit në minutën e 63-të shënoi Kastriot Selmani, me ndihmën e një devijimi. Për Selmanin ishte goli i parë në debutim. Debutim të suksesshëm pati edhe Diatta. Që të dy e mbyllën ndeshjen e parë me gola të shënuar. Deri në fund të ndeshjes pati edhe disa mundësi shënimi, por jo edhe gola.

Ballkani në pjesën e parë dhe të dytë e qëlloi transversalen dy herë me Toni Domgjonin.

Edicioni i sivjetmë pritet të jetë i niveluar, me shumë skuadra të përfshira në garën për titull.

Nga gjuajtja e lirë e fituar pas përjashtimit të Ivica Batarelos, Prishtina e ka shënuar edhe golin e katërt.

Kastriot Selmani realizoi nga goditja e dënimit në minutën e 63-të. Për Selmanin ishte goli i parë me fanellën “bardhekaltër”. Ai realizoi në debutim.

Ballkani i Suharekës ka mbetur me një lojtar më pak në fushë. Qendërmbrojtësi Ivica Batarelo është ndëshkuar me karton të kuq nga gjyqtari Genc Nuza, pas rishikimit të situatës në VAR. Batarelo u përjashtua në minutën e 62-të për ndërhyrje në Assana Diatten.

Ballkani ngushton rezultatin

Ballkani ka ngushtuar rezultatin në 3:2 ndaj Prishtinës. Golin e dytë për Ballkanin e realizoi Engjëll Ajazaj në minutën e 49-të.

Prishtina shënon në momentet e fundit të pjesës së parë

Assane Diatta ka shënuar gol në debutim me skuadrën e Prishtinës.

Ish-futbollisti i Malishevës ka realizuar gol për 3:1 në të mirë të Prishtinës ndaj Ballkanit në kryeqytet.

Diatta e kaloi portierin dhe lehtësisht e shtyu topin në rrjetë, në minutën e parë shtesë të pjesës së parë.

Me golin e tij përfundoi pjesa e parë.

Tjetër gol në “Fadil Vokrri”

Valentin Serebe ka shënuar gol për Ballkanin që është kthyer në lojë në ndeshjen ndaj Prishtinës.

Serebe shënoi nga penalltia në minutën e 24-t. Tani rezultati është 2:1 në të mirë të Prishtinës.

Tjetër gol nga Krasniqi

Albin Krasniqi ka shënuar tjetër gol për Prishtinën ndaj Ballkanit.

Krasniqi për 2:0 realizoi në minutën e 19-të.

Ai e plasoi bukur topin në portë me të majtën.

Prishtina shënon e para në derbi

Prishtina ka organizuar aksion të mirë dhe ka realizuar e para në derbin ndaj Ballkanit, në xhiron e parë të Superligës së Kosovës në futboll.

Asistimin e Leotrim Kryeziut, në gol e shndërroi mesfushori Albin Krasniqi. Krasniqi me gjuajtje të saktë nga zona shënoi për 1:0 në minutën e 10-të.

Ndeshja po luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Exit mobile version