Qytetarët e Divjakës janë mbledhur prej 14 ditë radhazi në protestën kundër reformës administrative-territoriale. Me thirrjen “Divjakë bashki”, protestuesit kundërshtojnë përfshirjen e Bashkisë Divjakë nën administrimin e Bashkisë Lushnjë.
Qytetarët kanë kërkuar publikisht edhe dorëheqjen e kryetarit të Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, duke argumentuar se ky hap do të ishte një mënyrë për të ruajtur dinjitetin e tij dhe të qytetit.
Kjo kërkesë u është drejtuar edhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak, të cilët pritet të mblidhen të premten, në orën 10:00.
Banorët e Divjakës janë shprehur të vendosur për ta vijuar rezistencën deri në përmbushjen e kërkesës së tyre kryesore, ruajtjen e Bashkisë Divjakë.
Gjatë marshimit në rrugët e qytetit, qytetarët kanë bërë thirrje edhe për pjesëmarrje më të gjerë, duke kundërshtuar masivisht propozimin e PS-së për shkrirjen e bashkive.

