Kosovë Lajme

Konjufca pret zv.kryeministrin Nik Gjeloshaj dhe kryetarin e Ulqinit, Genc Nimanbegu: Diskutuam me miqtë e mi pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Glauk Konjufca priti në takim, së bashku me Ambasadoren e Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka Hoxha, Zëvendëskryeministrin e Malit të Zi për Politikë Ekonomike dhe Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, si dhe Kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu.

Takimi u zhvillua gjatë vizitës së Gjeloshajt dhe Nimanbegut në Kosovë, në kuadër të Konferencës së IX të Ambasadorëve. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Bernard Çobaj.

Gjatë takimit u diskutua për pozitën dhe përfaqësimin e shqiptarëve në Mal të Zi, rolin e tyre në jetën politike dhe institucionale, si dhe zhvillimet me rëndësi për komunitetin shqiptar.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca vlerësoi se faktori shqiptar ka qenë dhe mbetet një forcë e rëndësishme në orientimin euroatlantik dhe zhvillimin demokratik të Malit të Zi.

Më tutje ai bëri me dije se në fokus të bisedës ishin edhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, të cilat, sipas ministrit, mbështeten në respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim. Ai theksoi se Mali i Zi mbetet një partner i rëndësishëm i Kosovës në proceset e integrimit evropian.

Në ditën e tretë të Konferencës së Ambasadorëve, Zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj dhe Kryetari i Ulqinit, Genci Nimanbegu, morën pjesë edhe në panelin kushtuar integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian dhe rolit të faktorit shqiptar në këtë proces.

Exit mobile version