Kosovë Lajme

Dita 72/ Rezistenca nuk ndalet, qytetarët kërkojne sërish dorëheqjen e Ramës

“Revolucioni i Flamingove” vijon edhe këtë mbrëmje në kryeqytet, duke shënuar ditën e 72-të të protestës qytetare.

Qytetarët pritet të mblidhen në qendër të Tiranës dhe më pas të marshojnë në rrugët e kryeqytetit, duke përsëritur qëndrimet e tyre kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Lëvizja, e cila prej javësh zhvillohet çdo mbrëmje, ka si një nga simbolet kryesore flamingon rozë. Protestuesit kundërshtojnë veçanërisht projektet e zhvillimit në zonat e mbrojtura, me fokus Nartën dhe Zvërnecin, duke kërkuar mbrojtjen e pasurive natyrore.

“Shqipëria nuk është në shitje” dhe “Larg duart nga Narta” janë ndër sloganet e përdorura gjatë marshimeve.

Krahas çështjeve mjedisore, protestuesit kanë shtuar edhe kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama. Lëvizja ka tërhequr vëmendje edhe jashtë vendit, duke u identifikuar në disa raportime si “Revolucioni i Flamingove”.

Edhe sonte, flamingot rozë, pankartat dhe thirrjet kundër qeverisë pritet të shoqërojnë marshimin në Tiranë, ndërsa protestuesit paralajmërojnë vijimin e tubimeve në ditët e ardhshme.

Exit mobile version