Profesori Husamedin Feraj ka reaguar ashpër ndaj deputetes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadriaj, duke e akuzuar atë dhe partinë e saj për përhapje të pretendimeve të pavërteta dhe duke ngritur akuza të forta lidhur me raportet e tyre politike me Listën Serbe dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në një status të publikuar në Facebook, Feraj ka thënë se, pavarësisht përpjekjeve të tij për të mos u marrë me Kadriajn, reagimet e saj nuk po ia lejojnë këtë.
“Time, Elvisi ka moral sa të heq një lajm të rremë për ty, sapo konstatoi se është i rremë. A ke ti sado pak moral të heqësh kumtin tënd të rremë për ne?”, ka shkruar Feraj.
Më tej, ai ka bërë një akuzë të drejtpërdrejtë ndaj Kadriajt dhe partisë së saj, duke pretenduar se Serbia u kishte ardhur në ndihmë për krijimin e qeverisë.
“Time, ti e di se ne asnjëherë nuk na ndihmoi Serbia, ty dhe partinë tënde po. Ti e di se në mes të natës, me porosi të Vuçiqit, ju erdhi në ndihmë Serbia për krijimin e qeverisë suaj”, ka deklaruar Feraj.
Profesori ka pretenduar gjithashtu se përfaqësuesit politikë serbë të lidhur me Vuçiqin kishin ndihmuar në qeverisjen e Kosovës, ndërsa sipas tij pjesa veriore ishte lënë nën ndikimin e strukturave të Serbisë.
Feraj ka vazhduar kritikat duke pretenduar se edhe aktualisht ekziston një interes i përbashkët politik mes kundërshtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Listës Serbe për largimin nga pushteti të LVV-së dhe Albin Kurtit.
“Edhe sot Serbia, me Listën Serbe, po ju ndihmon ju, dhe ju atë, që bashkërisht ta largoni nga qeverisja LVV-në dhe Albin Kurtin, forcën politike dhe individin më të votuar në Kosovë”, shkruan ndër të tjera Feraj.
Në fund të reagimit, ai e ka sfiduar Kadriajn që të tërheqë deklaratën të cilën ai e cilëson të pavërtetë, ndërsa ka thënë se pret edhe reagime dhe sulme ndaj tij pas këtij statusi.
“Time, a je aq zonjë dhe e zonja sa të më zhgënjesh duke treguar pak moral publik, duke e bërë të rreme pritshmërinë time? Apo je absolutisht e parashikueshme?”, përfundon reagimin profesori Husamedin Feraj.

