Shqipëri

Krujë/ Flakët pushtuan banesat, iu afruan spitalit dhe pikës së gazit, ja çfarë la pas zjarri

Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu gjatë ditës së djeshme Malin e Kujës në Krujë, duke shkaktuar një situatë kritike dhe duke vënë në rrezik banesat dhe objektet pranë zonës së përfshirë nga flakët.

Zjarri u përshkallëzua me shpejtësi, pasi flakët hynë në oborret e banesave, iu afruan magazinave dhe një pike të shpërndarjes së gazit, duke rritur ndjeshëm rrezikun për banorët.

Përballë situatës kritike, Bashkia e Krujës lëshoi urdhër urgjent evakuimi për banorët e zonave të Barabit dhe Llubanit, ku flakët, të favorizuara nga era, po avanconin drejt zonave të banuara.

Orë të vështira u përjetuan edhe në Spitalin e Krujës. Flakët iu afruan rreth 50 metra godinës, duke detyruar evakuimin e pacientëve gjatë natës, në një prej momenteve më kritike të situatës.

Një magazinë u shkrumbua plotësisht nga zjarri, ndërsa dëmet materiale mbeten të konsiderueshme. Flakët përfshinë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, duke shkaktuar dëme të mëdha në pasurinë natyrore të zonës.

Për përballimin e situatës u angazhuan mbi 200 efektivë të strukturave të emergjencave civile dhe Forcave të Armatosura, si dhe rreth 80 efektivë të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.

Në operacion u përfshinë 21 mjete zjarrfikëse, tre helikopterë, droni Bayraktar TB2, dy dronë me kamera termike të AKMC-së, si dhe autoambulanca.

Pavarësisht përmasave të zjarrit dhe rrezikut të krijuar për banesat, objektet dhe spitalin, nuk u raportuan persona të lënduar.

Megjithatë, zjarri la pas dëme të konsiderueshme. Pyje të tëra u përfshinë nga flakët, një magazinë u shkrumbua dhe banorët e Barabit e Llubanit u përballën me orë të tëra frikë e pasigurie, deri në largimin nga zona.

Evakuimi i banorëve dhe pacientëve, flakët pranë spitalit, magazinave dhe pikës së shpërndarjes së gazit e kthyen situatën në një prej episodeve më kritike të zjarreve në Krujë gjatë kësaj periudhe.

Exit mobile version