Kosovë Lajme

Ministri Xhelal Sveçla shpall persona non grata drejtorin e Telekomit të Serbisë, Vladimir Luçiq

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka nxjerrë vendim me të cilin shpall “persona non grata” në territorin e Republikës së Kosovës drejtorin e Telekomit të Serbisë, Vladimir Luçiq.

Sipas vendimit të siguruar nga portali KosovaNews Luçiq ndalohet në mënyrë të përhershme të hyjë, të kalojë transit apo të qëndrojë në territorin e Kosovës. Vendimi hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit dhe obligon Policinë e Kosovës dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e tij.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se Vladimir Luçiq, përmes deklaratave të tij publike, ka promovuar dhe mbështetur politika që, cenojnë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Po ashtu, dokumenti vlerëson se deklaratat e tij përbëjnë propagandë kundër sovranitetit të Kosovës dhe nxitje të gjuhës së urrejtjes e destabilizimit.

Vendimi është bazuar në dispozitat e Ligjit për të Huajt dhe legjislacionit përkatës që rregullon kompetencat e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Dokumenti mban datën 2 gusht 2026 dhe është nënshkruar nga ministri Xhelal Sveçla.

Exit mobile version