Federata e Futbollit e Kosovës ka nisur sot seminarin dyditor të FIFA-s për gjyqtarët e futbollit, i cili po mbahet në Prishtinë. Ky seminar shënon fillimin e përgatitjeve për edicionin e ri garues 2026/27 dhe synon avancimin e njohurive teknike, fizike dhe profesionale të gjyqtarëve kosovarë.
Punimet e këtij seminari u hapën nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ndërsa ligjërimet po udhëhiqen nga instruktori i FIFA-s, Alan Snoddy dhe eksperti i përgatitjes fizike Simon Breivik.
Programi përfshin temat më aktuale të ndarjes së drejtësisë, ndryshimet në rregullat e lojës për edicionin 2026/27, analizën e incidenteve, përdorimin e VAR-it, integritetin e zyrtarëve të ndeshjes, përgatitjen fizike, menaxhimin e lojës dhe analizën e situatave nga kampionati vendor.
Pjesë e rëndësishme e seminarit janë edhe testet fizike, të cilat zhvillohen sipas standardeve të FIFA-s, duke siguruar që gjyqtarët të jenë maksimalisht të përgatitur për sfidat e sezonit të ri.
Përmes organizimit të seminareve të tilla, FFK vazhdon të investojë në zhvillimin profesional të gjyqtarëve, duke synuar rritjen e cilësisë së arbitrimit në garat vendore dhe përgatitjen e tyre për angazhime në arenën ndërkombëtare.

