Ministri në detyrë i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, deklaroi se analizat e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë konstatuar se në disa mostra të qumështit UHT të qumështores Vita është gjetur vaj palme, ndërsa në mostra të tjera edhe qumësht pluhur.
Sipas tij, produktet do t’i nënshtrohen procedurave të parapara me ligj dhe kompania është e obliguar të bashkëpunojë me AUV-në për të sqaruar të gjithë zinxhirin e përgjegjësisë.
Muja, duke iu përgjigjur pyetjes nëse bëhet fjalë konkretisht për qumështin e Vitës, tha se konstatimet janë bërë në mostrat e qumështit UHT.
“Pa asnjë fije dyshimi. Qumështorja Vita është konstatuar në disa mostra që përmban, ka plasuar në treg produkte të cilat janë marketuar, trajtuar si qumësht, por në esencë përmbajnë vaj palme dhe në rastet e tjera edhe qumësht pluhur. Pra, kjo është e tëra”, tha ai.
Ai sqaroi se produktet fillimisht do të vendosen nën monitorim, ndërsa më pas do të zhvillohen procedurat ligjore për të identifikuar përgjegjësit.
“Komunikimi zyrtar edhe individual i AUV-it është se ato produkte fillimisht do të vendosen në monitorim edhe në bazë të ligjit duhet t’i nënshtrohen monitorimit të tyre, por ajo çfarë dimë ne në bazë të mostrave por edhe në bazë të të gjithë rregullave e dokumentacioneve për çka është importuar vaj i palmës dhe qumështi pluhur. Edhe në qumësht. Në qumësht UHT që shitet në treg. Në këto mostrat e qumështit, janë gjetur katër-pesë mostra, po ashtu është. Po, po, këto konstatime individuale fillimisht i bën, është thirrur. Dhe pastaj në bashkëpunim në bazë të ligjit për ushqim, nenit 20 deri në 28, ata janë të detyruar me bashkëpunuar me AUV-in për të konstatuar, për ta gjetur krejt procesin nga ka ardhur. Pastaj, kush ka qenë përgjegjës që e ka lejuar këtë? Në bazë të ligjit, drejtori i kompanisë është përgjegjës për sigurinë e cilësisë. Kush ka ditur për këtë proces? Çdo person dhe çdo lëshim do të trajtohet sipas ligjit. Edhe ligji i parasheh këto. Ju lutem, nuk është çështja a bëjmë ne një debat të tillë. Çështja është si të korrigjojmë këto probleme. Është konstatuar përtej dyshimit të bazuar që në qumështoren Vita, Abrazen a si do që quhet, është përdorur në mënyrë të vazhdueshme në disa mostra të konstatuara, vaj palme, por në mostrat e tjera edhe qumësht pluhur”, tha ai.

