Kosovë Lajme

Kurti e Abdixhiku takohen sot në Kuvend, PDK e Aleanca refuzojnë ftesën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të zhvillojnë sot një takim në Kuvendin e Kosovës, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për konstituimin e institucioneve shtetërore.

Lajmin e ka konfirmuar për Ekonomia Online, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

“Po, në 18:00 në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se 6 gushti duhet t’i gjejë partitë e përgatitura për formim të institucioneve.

“Do të përpiqemi që t’i shfrytëzojmë këto ditë, në mënyrë që të jemi sa më të përgatitur kur fillon seanca për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të. Mirëpo nuk mund ta parashikojmë ende rezultatin, nuk do të mungojnë përpjekjet. Ekziston edhe interesimi, edhe vullneti, edhe gatishmëria, por në javën e ardhshme marrim vesh gjithçka”, tha Kurti.

Më 6 gusht është caktuar seanca për inaugurimin e legjislaturës së re.

Por para seancës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Kurti, ka nisur përpjekjet për të krijuar një dakordim mes subjekteve politike për formimin e institucioneve të reja të vendit.

Ai ka ftuar në takim liderët e partive politike që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës, me synimin për të diskutuar mundësinë e arritjes së një konsensusi për tejkalimin e situatës aktuale dhe funksionalizimin e institucioneve.

LDK pranoi ftesën e Kurtit

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka vendosur t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Kurtit dhe ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin e thirrur për liderët politikë.

Prania e LDK-së në këtë takim shihet si një mundësi për të zhvilluar diskutime mes partive për hapat e ardhshëm pas konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të institucioneve të reja.

PDK refuzoi pjesëmarrjen

Ndryshe nga LDK-ja, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Kurti.

Në përgjigjen e tij ndaj ftesës, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka rikonfirmuar qëndrimin e kësaj partie se në rrethanat aktuale do të vazhdojë të qëndrojë në opozitë.

Hamza ka thënë se pret që Vetëvendosje, së bashku me partitë e tjera të përfaqësuara në Kuvend, të arrijnë marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja të vendit.

AAK nuk merr pjesë në takim

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka bërë të ditur se nuk do të jetë pjesë e takimit të thirrur nga Kurti.

AAK, njësoj sikurse PDK, ka mbajtur qëndrimin se do të vazhdojë të veprojë nga opozita, duke mos u përfshirë në përpjekjet për një marrëveshje për formimin e institucioneve.

Ftesa e Kurtit për partitë politike vjen në një kohë kur pritet seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, një hap i domosdoshëm për krijimin e institucioneve të reja të vendit.

Exit mobile version