Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se çmimet e derivateve në Kosovë mund të shënojnë rënie në ditët në vijim, por jo në mënyrë të ndjeshme.
Në një intervistë për Ekonomia Onlinen, Kusari-Lila ka deklaruar se importi i naftës ka shënuar një rënie të vogël dhe se, nëse ky trend vazhdon, mund të ketë ulje të çmimeve.
“Tash nëse vazhdon me të njëjtin cikël ashtu siç ka filluar dje, mund të shohim prej ditëve në vijim rënie të çmimeve por nuk është dramatike, domethënë po flasim për 1 cent, 2 centë. Importi mbrëmë ka shënuar një rënie të vogël 1 cent në raport me ditët paraprake, dhe kështu nëse vazhdon atëherë unë uroj që të kthehet se e patëm një periudhë kohore gati se 20 centë dallimi me atë çfarë e kemi çmimin aktualisht”, tha ajo.
Kusari-Lila ka thënë se MINTI po e shqyrton vazhdimin e masës për përcaktimin e çmimit maksimal dhe marzhës së fitimit për naftëtarët, duke theksuar se kjo masë, sipas saj, ka ndikuar në mbrojtjen e konsumatorëve nga rritjet e menjëhershme të çmimeve.
“Ka disa muaj tash që ministria që drejtoj ka marrë vendimin për përcaktimin e marzhës së fitimit, dhe mbajtjen e çmimit tavan tek derivatet e naftës. Ajo çka kemi filluar se aplikuar nga muaji prill është mesatarja e 10 milion litrave të importuara me shtesën e marzhës së fitimit të lejuar për naftarët. Në situatat kur ka ngritje të çmimit, kjo është një masë e cila e amortizon ngritjen e menjëhershme. Do të thotë për arsye se merr parasysh edhe importin e disa ditëve më herët në mesatare të përgjithshme. Por edhe rënia kur fillon tek ne reflektohet në mënyrë graduale. Do të thotë kur ka rritje të menjëhershme të çmimit mbron konsumatorin, kur ka rënie prapë ajo reflektohet po më gradualisht që në një farë forme është si neutralizues midis lëvizjeve të shpejta të çmimit. Prandaj edhe tek importi, çmimi i importuar, se ne nuk jemi shtet i cili prodhon apo ka rafineri të naftës, nuk vërehen ndryshimet e menjëhershme të cilat po vërehen në bursat ndërkombëtare”, tha ajo.
Sipas saj, nëse nuk do të ishte kjo masë, çmimi i naftës do të mund të ishte edhe më i lartë, për shkak të rritjes së kërkesës gjatë sezonit të verës.
“Në bursë mund të zbritet çmimi ose të ketë rënie më të madhe, përderisa porositë të cilat operatorët në tregun e Kosovës i bëjnë janë të kontraktuara me çmimin e ditës më herët kur ka qenë një çmim tjetër. Prandaj edhe kjo jokonsistencë po reflekton te çmimet e derivateve në Republikën e Kosovës. Ne jemi duke e shqyrtuar a duhet të vazhdojmë me masën apo jo. Unë kam bindjen e plotë se sikur mos të ishte masa çmimi do të shkonte ende më lart, domethënë për arsye se atëherë do të ishte në treg të lirë, dhe sipas kërkesës dhe ofertës, dhe tashmë ka kërkesë më të madhe për shkak se dhe numri i veturave në Kosovë është më i madh për shkak të sezonit të verës, vizitës, numrit të ardhjes së veturave nga shtetet e Bashkimit Evropian, po vërehet edhe në sasinë e importit, dhe në situatën e tillë me siguri se çmimi mund të ishte ende më i lartë duke marrë parasysh çmimin në kufi të cilin ne e marrim dy herë në ditë nga Doganat e Kosovës, na raportojnë mbi çmimin e importuar të sasisë së përgjithshme të naftës”, tha ajo për Ekonomia Onlinen.
Ministrja në detyrë ka bërë të ditur se po shqyrtohet edhe mundësia e ndryshimit të mënyrës së përcaktimit të çmimeve të derivateve.
“Jemi duke vepruar mbi bazën e një udhëzimi administrativ i cili ka përcaktuar parametrat e marzhës së fitimit në kuadër të çmimit, siç e thashë në dy metoda, ose në 10 milion litrat e importuara, ose në ditën e çmimit paraprak mesataren e çmimit në një ditë paraprake. E para jemi duke shiqu rishikimin e udhëzimit, do të thotë hapësirën për modalitete të reja të përcaktimit të çmimit brenda të njëjtit udhëzim administrativ i cili derivon nga Ligji për Derivatet e Naftës, dhe e dyta diskutimin pastaj në rast se ka një stabilitet, të heqjes në tërësi dhe përcjelljes së çmimit të naftës në raport me çmimin e importit”, tha ajo.
Kusari-Lila ka thënë se naftarët vazhdimisht kanë kërkuar heqjen e masës për përcaktimin e marzhës së fitimit, ndërsa ka paralajmëruar takim me ta për të diskutuar këtë çështje.
“Ka kërkesë për heqje të masës të vazhdueshme nga naftarët, ka pasur shoqata e naftarëve kërkesë për takim emergjent, ne jemi në kontakt, së shpejti do t’i takojmë për arsye se ata e konsiderojnë që janë duke u dëmtuar me përcaktimin e një marzhës së fitimit si rrjedhoj e rritjes së shpenzimeve në shërbime të tjera, përfshi këtu pagat, rritjen e pagës minimale e kështu me radhë. Megjithatë, kjo po se është një balancë shumë delikat, për shkak se në njërën anë duhet ruajtur dhe mbrojtur konsumatorët dhe qytetarët e natyrisht duke mos duke rrezikuar operatorët. Tashmë këta janë në vazhdimësi duke insistuar që kjo të hiqet prandaj edhe ne po e bëjmë vlerësimin varësisht prej ndryshimeve që janë në tregun ndërkombëtar dhe lëvizjeve atje në raport me vendimin brenda në Kosovë”, tha ajo.

