Të martën është mbyllur dita e 52-të e protestës kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar, protestuesit brohoritën thirrje si “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, “Ju erdhi fundi”, “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe “Rama, jep dorëheqjen”.
Gjatë tubimit, qytetarë dhe aktivistë shprehën pakënaqësitë për qeverisjen, kostot e larta të jetesës, shëndetësinë, arsimin, emigracionin dhe korrupsionin. Si çdo mbrëmje, ata deklaruan se protesta nuk lidhet vetëm me mbrojtjen e zonave të mbrojtura, por me situatën e përgjithshme ekonomike dhe sociale në vend. Kritika pati gjithashtu edhe për financimin me 4.3 milionë euro të koncertit të Kanye West. fonde publike që sipas qytetarëve duhet të shkonin për pensionistët, spitalet dhe sektorët me nevoja urgjente. Në podium u ngritën edhe akuza ndaj klasës politike të 35 viteve të fundit.
Aktivistët përsëritën gjithashtu thirrjet drejtuar SPAK-ut. Ata kërkuan hapjen e hetimeve ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se mbështetja për institucionet e drejtësisë duhet të shoqërohet me rezultate konkrete.Në fund të fjalimeve, aktivistët njoftuan se protesta do të zhvendoset të enjten para Kuvendit. Grumbullimi është paralajmëruar të nisë në orën 08:00, gjatë zhvillimit të seancës parlamentare.
Pas fjalimeve para Kryeministrisë, qytetarët vijuan marshimin në kryeqytet. Ata përsëritën se nuk pranojnë negociata për kërkesën e tyre kryesore: dorëheqjen e Edi Ramës dhe largimin e qeverisë.

