Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka njoftuar se është dorëzuar kërkesa për shkarkimin e ministres serbe Snezhana Paunoviq.
Kamberi ka thënë se iniciativës iu janë përgjigjur edhe 47 deputetë të tjerë të cilët kanë nënshkruar këtë nismë ndërsa në total janë bërë 53 deputetë të opozitës që i kanë dorëzuar kryeminsitrit të Serbisë, Gjurco Macut kërkesën për shkarkimin e saj.
Paunoviq gjatë një emisioni ka deklaruar se po të ishte në vend të ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
“Nëse Gjuro Macut refuzon të propozojë shkarkimin e saj, ai do të marrë përgjegjësinë për vazhdimin e mandatit të saj në këtë funksion dhe për normalizimin e një politike të tillë brenda Qeverisë së Serbisë. Fatkeqësisht, iniciativën tonë nuk e kanë mbështetur partitë e pakicave nacionale, të cilat janë pjesë e qeverisë. Pra, shkarkimin e ministres Paunoviq nuk e kanë përkrahur as partia boshnjake e Zukorliqit, as partia boshnjake e Lajiqit dhe as partia hungareze e Pastorit!”, thuhet mes tjerash në postimin në Facebook të Kamberit.

