Futbollisti i Kosovës, Edon Zhegrova, i ka reaguar ish-mesfushorit të Shqipërisë, Altin Lala.
Lala, i cili është menaxher i sulmuesit të Kosovës, Milot Rashica, në një emision në Shqipëri ka kritikuar Zhegrovën, duke thënë se trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, me të drejtë e ka lënë në stol.
Lala ka kritikuar mënyrën se si Zhegrova dhe disa lojtarë i kushtojnë më shumë vëmendje paraqitjes publike dhe jetës luksoze sesa paraqitjes në fushë.
“Ky nuk është i rëndësishëm aspak, por po vendosi pak të reagoj kësaj radhe! Ky menaxheri që i ka dëmtuar futbollistët e tij. Disa njerëz jetojnë duke komentuar jetën e të tjerëve. Unë preferoj ta jetoj timen. Suksesi nuk matet nga mendimet e atyre që flasin në studio, por nga puna që e bën çdo ditë. Po të ishte ashtu, si thotë ky dhe shumë të tjerë, që unë do isha i fokusuar në gjërat tjera, nuk do të isha në një klub me renome botërore si Juventusi. Pastaj ku ka luajtur ky si djalë i mirë që ka qenë? Ke mbaruar duke dhënë intervista, emisione koti me njerëz që duan pak ‘like’ dhe klikime ja vendosa të ja jap pak. Pastaj para se të shkoja te Juventusi kanë qenë fjalët e njëjta gjithmonë, por ja që jam këtu falë punës dhe sakrificës nga Prishtina, Kosova ime. Gjithmonë krenar”, ka shkruar Zhegrova në Instagaram. Zhegrova po ashtu ka publikuar edhe një pjesë të intervistës ku kritikohet nga Lala.
Sulmuesi i krahut e mbylli edicionin pa gol të realizuar. Madje nuk pati asnjë asistim në 27 ndeshje në të gjitha garat. Pati pak hapësirë te Juve gjatë edicionit 2025/2026.
Zhegrova 27-vjeçar ka kontratë me Juventusin deri në vitin 2030.
Lala është prej emrave më të mëdhenj që ka pasur Kombëtarja e Shqipërisë.

