Kosovë Lajme

Kusari-Lila u bën thirrje bizneseve të raportojnë çdo tentativë mashtrimi gjatë procesit të granteve

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, u ka bërë thirrje bizneseve, ndërmarrësve dhe ndërmarrëseve të Republikës së Kosovës që të mos bien pre e pretendimeve të personave që premtojnë ndikim në procesin e vlerësimit të skemave të granteve të MINTI-t.

Ajo theksoi se, ndërsa Ministria ndodhet në procesin e vlerësimit të aplikimeve për skemat e granteve, asnjë person nuk ka të drejtë apo autorizim të premtojë miratimin e një aplikimi. Sipas saj, çdo vendim do të merret vetëm në përputhje me kriteret e përcaktuara në thirrjet publike dhe pas përfundimit të procesit të rregullt të vlerësimit.

Ministrja Kusari-Lila paralajmëroi se çdo person që pretendon se ka ndikim në këtë proces, apo që kërkon ryshfet, pagesa ose favore në këmbim të një vendimi pozitiv, mashtron qytetarët dhe cenon integritetin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Ajo bëri të ditur se raste të tilla do të trajtohen me zero tolerancë dhe do të ndiqen në përputhje me legjislacionin në fuqi, ndërsa të gjithë personat e përfshirë në skema të tilla mashtrimi do të përballen me pasojat ligjore.

Kusari-Lila u bëri thirrje bizneseve të bashkëpunojnë me Ministrinë për ta mbrojtur procesin e ndarjes së granteve, duke e ruajtur atë transparent dhe kredibil, në interes të zhvillimit ekonomik të vendit dhe mirëqenies së qytetarëve.

Ministrja ftoi të gjithë ata që janë përballur me persona që janë prezantuar si zyrtarë të Ministrisë ose që kanë pretenduar se mund të ndikojnë në vlerësimin e granteve duke kërkuar para apo favore, që ta raportojnë rastin menjëherë përmes linjës zyrtare në numrin +383 46 311 000 ose duke u drejtuar drejtpërdrejt në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.

Ajo siguroi se çdo informacion i pranuar do të trajtohet me konfidencialitet të plotë, me qëllim mbrojtjen e integritetit të procesit dhe ruajtjen e parasë publike.

Në fund, ministrja Kusari-Lila theksoi se qëllimi i MINTI-t është që fondet publike të ndahen vetëm mbi bazën e kritereve, transparencës dhe ligjit, duke mbështetur bizneset që i plotësojnë kushtet e përcaktuara në thirrjet publike.

Exit mobile version