Maqedoni

U ndalua në kufi nga policia, deputeti Qoku: Kam mbështetur protestën, po na trajtojnë si armiq të Shqipërisë

Deputeti i Vlen Bekim Qoku gjatë një interviste në edicionin ‘Ora 19’ me Armela Ferkon në SYRI TV ka treguar për incidentin në vendkalimin kufitar “Qafë Thanë”, ku së bashku më deputetë e zyrtarë të tjerë të VLEN-it u ndaluan në kufirin Shqipëri-Maqedoni e Veriut.

Gjatë bisedës Qoku është shprehur se ka mbështetur protestën qytetare që po zhvillohet në Tiranë, ndërsa deklaroi se autoritetet shqiptare nën drejtimin e Edi Ramës, po i trajton shqiptarët e Maqedonisë së Veriut si armiq.

‘Unë s’kam qenë në këtë protestë kurrë, asnjëherë. Madje për shkak të obligimeve që kam këtu edhe si anëtar i grupit parlamentar, ka ndodh rrallë që unë të mos jem kaq kohë në Shqipëri.

Unë jam student i diplomuar i Tiranës, kam kryer filozofinë në Tiranë dhe kam miqtë e mi atje, por për shkak të obligimeve është një periudhë shumë e gjatë pa qenë në Tiranë. Kështu që nuk kam pasur rastin të jem në protesta, por e kam mbështetur protestën me postimet e mia, me qëndrimet e mia publike.

Por nuk është edhe njëherë, duhet theksuar që nuk është ky qëndrim zyrtar i VLEN–it si subjekt politik. Pra ne si subjekt politik nuk kemi qëndrim zyrtar. Nuk kemi as pro as kundër protestës. Është thjesht qëndrim individual, personal i imi, që e mbështes protestën popullore atje dhe këtë e mbështes pa e kritikuar ose pa qenë kundër një partie të caktuar politike, pra as kundër PS-së as kundër PD-së.

Shikoni, nuk ka asnjë arsye tjetër, sepse nuk ka ndodh që të vije puna deri këtu.

Por i vetmi meqë emëruesi i përbashkët është VLEN-i dhe figurat që mbështesin këtë protestë, edhe përsëri mund të vijmë në përfundimin se jemi, gjithë kjo gjithë kjo masa kaq, edhe njëherë duhet theksuar, janë masa jo proporcionale, sepse nuk mund t’ia ndalosh tjetrit të futet në territorin shqiptar, e Shqipërisë, sidomos kur je shqiptar, sidomos kur je zyrtar shtetëror.

Vetëm sepse ka publikuar ose e ka mbajtur një qëndrim ose një qasje pro protestës, pro një proteste çfarë do qoftë ajo në territorin e Shqipërisë.

Mos harrojmë që ne aty kemi parë në protestë edhe eurodeputetë të cilët kanë qenë fizikisht aty, dhe e kanë shprehur me zë e figurë, me trup, pra fizikisht qëndrimin pro protestës, dhe nuk ju ka ndodh asgjë. Ndërsa ne për një publikim në rrjetet sociale, tani detyrohemi të ti marrim përsipër gjithë këto masa domethënë kaq drakonike, jo proporcionale.

Sidomos kur e dimë që ne gjithë këtë dashuri që kemi për shtetin shqiptar. Shteti shqiptar në vend të na mbrojë edhe të na përqafojë, sipas nenit 8 të Kushtetutës atje, edhe ne këtu me Kushtetutë jemi pjesë të popullit shqiptar, ne trajtohemi si një trup i huaj, madje sipas këtyre masave duket sikur jemi shpallur edhe armiq.

Diçka që ka ndodhur vetëm në sistemin e diktaturës kur për një fjalë goje ke pësuar, këto ose të kanë ndodhur, janë marrë këto masa kundër një personi. Pra është diçka absurde, e papritur dhe aspak e këndshme kjo që ndodh me ne.

Unë mua seriozisht më vjen keq për këtë që ndodhi në kufirin shqiptar. Uroj që shteti, autoritetet të prononcohen shumë shpejt pse ndodhi kjo. Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, shqiptarëve ju kanë ndodh shumë gjëma të tjera gjatë këtyre, prej vitit 2013 edhe më herët, po prekur është Rama në pushtet.

Janë vrarë shqiptarë, janë arrestuar, janë montuar raste politike, dhe deri tani autoritetet shqiptare nuk kanë pasur kurrë një qasje kaq rigoroze ndaj zyrtarëve shtetërorë shqiptarë.’, u shpreh ndër të tjera deputeti i Vlen, Bekim Qoku në SYRI TV.

Exit mobile version