Deputeti i VLEN-it, Adnan Azizi, ka reaguar në rrjetet sociale pasi u ndalua në pikën kufitare të Qafë Thanës gjatë hyrjes në Shqipëri.
Duke falënderuar qytetarët për mesazhet e mbështetjes, Azizi shkruan se gjatë veprimtarisë së tij politike nuk e ka trembur apo zmbrapsur asnjë pushtet dhe asnjë tiran.
“Aq më pak këta të Open Ballkanit”, shkruan ai.
Më tej, Azizi thekson se Shqipëria nuk është pronë e askujt dhe se ajo u përket të gjithë shqiptarëve, pavarësisht se kush qeveris në Tiranë.
“Shqipëria nuk është pronë e askujt. Ajo është po aq e jona sa e çdo shqiptari, pavarësisht se kush qeveris në Tiranë. Pushtetet janë të përkohshme. Shqipëria është e përhershme. Shqipëria mbetet gjithmonë e shqiptarëve!”, shkruan Azizi.
Ndalimi i Azizit vjen pasi më herët u raportua se ai dhe disa zyrtarë të tjerë nga Maqedonia e Veriut u përballën me kontrolle dhe vonesa në pikën kufitare të Qafë Thanës. Për arsyet e sakta të ndalimit, autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë ende një njoftim zyrtar.

