Botë Lajme

Ukraina blen 16 avionë luftarakë ‘Gripen E’ nga Suedia, marrëveshja kap vlerën e 2.53 miliardë dollarëve

Ukraina ka nënshkruar një marrëveshje me Suedinë për blerjen e 16 avionëve luftarakë shumëfunksionalë Gripen E, në një kontratë me vlerë 24.6 miliardë korona suedeze, ose rreth 2.53 miliardë dollarë. Marrëveshja është pjesë e planit të Kievit për forcimin e mbrojtjes ajrore dhe modernizimin e Forcave Ajrore.

Kompania suedeze Saab bëri të ditur se avionët do t’i dorëzohen Administratës Suedeze të Materialeve Ushtarake (FMV) gjatë viteve 2029-2030, ndërsa më pas do të kalojnë në përdorim nga Ukraina.

Presidenti Volodymyr Zelensky e cilësoi marrëveshjen një hap të rëndësishëm për forcimin e mbrojtjes ajrore të vendit, duke vlerësuar bashkëpunimin me Suedinë në modernizimin e forcës ajrore.

Kontrata përfshin edhe pjesë këmbimi, pajisje mbështetëse dhe materiale të tjera të nevojshme për operimin e avionëve.

Gjatë vizitës së tij në Suedi në fund të muajit maj, Zelensky kishte bërë të ditur synimin e Ukrainës për të blerë deri në 20 avionë Gripen E. Paralelisht, qeveria suedeze është angazhuar të dhurojë 16 avionë Gripen C/D, të cilët pritet t’i dorëzohen Forcave Ajrore të Ukrainës në fillim të vitit 2027, sipas marrëveshjes me kryeministrin suedez Ulf Kristersson.Në tetor, të dyja qeveritë nënshkruan gjithashtu një letër qëllimi për blerjen nga Ukraina të 100 deri në 150 avionëve Gripen E/F në disa faza.

Ministri suedez i Mbrojtjes, Pål Jonson, e cilësoi marrëveshjen si hapin e parë drejt krijimit të një flote të re me deri në 150 avionë Gripen, duke vlerësuar se kjo do të rrisë aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore dhe do të kontribuojë në sigurinë e Evropës.

Në vitin 2024, Suedia pezulloi planin për dërgimin e avionëve Gripen në Ukrainë, pasi aleatët perëndimorë i dhanë përparësi furnizimit të Kievit me avionët amerikanë F-16. Marrëveshja e re shënon rikthimin e programit suedez të mbështetjes ajrore për Ukrainën.

Exit mobile version