Maqedoni

Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami: Premtimet u kthyen në rezultate konkrete gjatë 24 muajve të qeverisjes së VLEN-it

Dy bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, kanë bërë një bilanc të 24 muajve të qeverisjes, duke vlerësuar se kjo periudhë ka sjellë ndryshime konkrete për qytetarët dhe ka dëshmuar se premtimet mund të shndërrohen në vendime, investime dhe projekte të realizuara.

Izet Mexhiti thekson se dy vitet e fundit kanë rrëzuar bindjen se “asgjë nuk ndryshon”, duke nënvizuar se për herë të parë shqiptarët kanë marrë pjesën që u takon përmes rreth 3 miliardë euro investimeve në komunat me shumicë shqiptare. Sipas tij, shumë premtime elektorale janë kthyer në ligje, investime dhe projekte të prekshme, ndërsa dallimi mes qeverisjes së sotme dhe së kaluarës është i qartë: “nga politika e privilegjeve te politika e meritës, nga propaganda te rezultatet dhe nga një shtet që u shërbente pakicës te një shtet që u shërben qytetarëve”.

Ndërkohë, Bilall Kasami vlerëson se kur VLEN mori përgjegjësinë për të qeverisur, trashëgoi një situatë të vështirë, por me punë dhe përkushtim dëshmoi se mund të qeveriset ndryshe. Ai thekson se gjatë këtyre 24 muajve janë ndërmarrë reforma dhe projekte që nuk ishin prekur për dekada, duke shtuar se sfida tani është ruajtja e standardit të vendosur dhe vazhdimi i ritmit të ndryshimeve.

Dy bashkëkryetarët e VLEN-it vlerësojnë se bilanci i dy viteve të para në qeveri dëshmon se ndryshimi është i mundur përmes punës, përgjegjësisë dhe fokusit te rezultatet konkrete, duke theksuar se angazhimi i tyre do të vazhdojë edhe në periudhën që vjen.

Exit mobile version