Koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN, Bekim Qoku, ka njoftuar se regjimi “Hyrje-Hyrje” (One Stop Shop) në pikat kufitare ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë po bëhet realitet, pas përpjekjeve të Qeverisë së VLEN dhe zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni.
Sipas Qokut, me zbatimin e këtij sistemi qytetarët do të kalojnë kufirin më shpejt, pasi kontrolli i pasaportave do të kryhet vetëm një herë, nga autoritetet e shtetit në të cilin hyn udhëtari.
“Më në fund. Mbas përpjekjeve të shumta të Qeverisë VLEN dhe zv. ministrit Astrit Iseni, kalimet kufitare me Shqipërinë do të lehtësohen shumë përmes regjimit Hyrje-Hyrje (One Stop Shop), pra me kontrolle të njëhershme të pasaportave vetëm nga pala ku hyn udhëtari”, ka shkruar Qoku.
Ky sistem pritet të reduktojë pritjet në kufi, të përshpejtojë qarkullimin e qytetarëve dhe mallrave, si dhe të forcojë bashkëpunimin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Në këtë kuadër, zëvendësministri Astrit Iseni ka nënshkruar marrëveshjen për zbatimin e One Stop Shop, duke e cilësuar atë si realizim të një premtimi në shërbim të qytetarëve.

