Kosovë Lajme

Të shtunën shpallen rezultatet përfundimtare Zgjedhjet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të shtunën (nesër) do të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor në mbledhjen që do ta mbajë nga ora 11:00.

Gjykata Supreme gjatë ditës së sotme ka hedhur poshtë ankesat e kandidatëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu e Qëndrim Kryeziu, për rinumërimin e plotë të votave të kësaj partie. Kjo i ka hapur rrugë KQZ-së të shpallë rezultatet përfundimtare.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forca e parë politike me 53 ulëse.

PDK-ja do të ketë 22 deputetë në legjislaturën e re, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 18 mandate.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të përfaqësohet me shtatë deputetë.

Pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja, pritet të nisin procedurat për certifikimin e tyre dhe më pas hapat për formimin e institucioneve.

Exit mobile version