Maqedoni

Bekim Qoku: Ali Ahmeti po mbron kastën e vjetër politike dhe jo interesin kombëtar

Koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN-it ka reaguar ndaj deklaratës së liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili tha se “Shqipëria e ka ndihmuar Kosovën gjatë luftës së vitit 1999, na ka ndihmuar edhe neve, prandaj edhe ne duhet ta ndihmojmë”.

Sipas tij, ky qëndrim përmban dy gabime themelore. Ai vlerëson se Ahmeti e identifikon Shqipërinë me një individ apo një parti të vetme politike, duke e reduktuar ndihmën ndaj Shqipërisë në mbështetje për një person të caktuar. Po ashtu, ai thekson se Shqipëria paraqitet si një shtet i huaj ndaj të cilit shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë një borxh politik, gjë që, sipas tij, është e papranueshme.

Koordinatori i VLEN-it deklaron se arsyeja pse Ahmeti kundërshton idenë e “Shqipërisë së Re” lidhet me faktin se kjo ide, sipas tij, nënkupton ndryshimin e elitave të vjetra politike dhe luftën kundër korrupsionit. Ai pretendon se për më shumë se dy dekada është krijuar një sistem që ka favorizuar interesa të ngushta politike dhe ekonomike në dëm të qytetarëve.

Në reagimin e tij, ai shton se stigmatizimi i protestave dhe i protestuesve nga Ali Ahmeti përbën mbrojtje të status quo-së politike dhe të strukturave që kanë përfituar nga pushteti ndër vite.

“Duke sulmuar protestën dhe protestuesit, Ali Ahmeti po sillet si pjesë e një sistemi ku politika dhe interesat e ngushta mbrojnë njëra-tjetrën”, thuhet në reagim.

Exit mobile version