Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se 8 ose 9 deputetë të komuniteteve joshumicë janë të gatshëm ta mbështesin formimin e qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti.
Pas mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, Krasniqi ka thënë se grupi multietnik është i interesuar që sa më shpejt të formohen institucionet e reja të vendit në bashkëpunim me fituesin e zgjedhjeve.
“Grupi multietnik, i cili është i përbërë prej 8 ose 9 deputetëve, është i gatshëm edhe i interesuar që sa më parë, bashkë me fituesin e zgjedhjeve, të shkojnë dhe t’i formojnë institucionet e Republikës së Kosovës, kështu që kjo garanton një numër të mjaftueshëm për votimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.
Ai ka theksuar se rezultati i zgjedhjeve ka prodhuar një situatë të ngjashme me atë të zgjedhjeve të kaluara dhe se qytetarët presin që sa më shpejt të krijohen institucionet e reja.
Sipas Krasniqit, vendi ka nevojë për një qeveri të re, një kuvend funksional dhe zgjidhje të çështjes së zgjedhjes së presidentit.
“Qytetari ka folur dhe partitë politike tash duhet të reflektojnë edhe në raport me fjalën e qytetarit”, ka thënë ai.
Lëvizja Vetëvendosje, sipas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, do t’i ketë 53 deputetë. Për ta formuar qeverinë duhen 61 vota.

