Botë Lajme

Trumpi kërcënon Iranin teksa zhvillohen bisedimet në Zvicër

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkruar në Truth Social se Irani duhet të ndalojë përfaqësuesit e tij në Liban që të krijojnë probleme.

Trumpi e ka fjalën për grupin militant Hezbollah, të mbështetur nga Irani, i cili po vazhdon sulmet me Izraelin në jug të Libanit.

Presidenti amerikan ka kërcënuar se nëse Irani nuk e bën këtë, atëherë SHBA-ja do ta godasë sërish.

“Irani duhet t’i ndalojë menjëherë përfaqësuesit e tij shumë të paguar në Liban që të shkaktojnë probleme. Nëse nuk e bën këtë, ne do ta godasim Iranin shumë fort përsëri, ashtu siç bëmë javën e kaluar, vetëm më fort”, ka shkruar Trumpi.

Deklarata e Trumpit vjen teksa në Zvicër po zhvillohen bisedimet SHBA-Iran, sipas marrëveshjes së nënshkruar nga të dy vendet këtë javë.

Sulmet Izrael-Hezbollah kanë rrezikuar marrëveshjen SHBA-Iran duke bërë që bisedimet që ishin paraparë të nisnin të premten, të shtyheshin për të dielën.

Irani këmbëngul se pa armëpushim në Liban, marrëveshja nuk do të ruhet.

Ndërkaq Izraeli thotë se nuk do të tërhiqet nga zona e sigurisë në Libanin jugor dhe se ushtria e tij është e lejuar të përgjigjet sa herë që ka sulme.

Exit mobile version