Maqedoni

Qoku: Sukseset maten me punë, jo me propagandë

Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, ka renditur një sërë zhvillimesh që, sipas tij, janë arritur vetëm gjatë javës së fundit, duke theksuar se rezultatet e qeverisjes duhet të maten me punë konkrete dhe jo me propagandë politike.

Në një postim publik, Qoku njoftoi se është nënshkruar marrëveshja për fillimin e ndërtimit të autostradës Shkup–Bllacë, është miratuar në Qeveri modeli One-Stop-Shop (regjimi hyrje-hyrje) me Shqipërinë, pas zbatimit të suksesshëm të të njëjtit sistem me Kosovën, si dhe është siguruar një investim i ri prej 21 milionë eurosh në Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë, që pritet të hapë 500 vende të reja pune.

Ai po ashtu theksoi se Kuvendi ka votuar statutin e Universitetit Nënë Tereza, duke mundësuar hapjen e tre fakulteteve të reja, ndërsa Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat ka hyrë në procedurë parlamentare dhe ka kaluar leximin e parë.

“Sukseset nuk do t’i masim me llafe e propagandë, por me kilometra dhe punë”, shkroi Qoku, duke kritikuar njëkohësisht atë që e quajti “propaganda e zezë e BDI-së”.

Exit mobile version