Botë Lajme

Anulohen bisedimet SHBA-Iran që pritej të zhvilloheshin sot në Zvicër

Screenshot

Bisedimet që ishin planifikuar të zhvilloheshin të premten midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për zbatimin e marrëveshjes 14-pikëshe që i dha fund luftës mes tyre janë anuluar, ka njoftuar ministria e Jashtme e Zvicrës.

Bisedimet pritej të fillonin në fshatin e vogël zviceran Obbürgen, dy ditë pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit (MOU), i cili hapi një periudhë 60-ditore për të negociuar një marrëveshje të përhershme lidhur me programin bërthamor të Iranit, ndërsa synohej gjithashtu rikthimi i qarkullimit normal të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit.

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se ShBA-ja pret me padurim “fillimin e bisedimeve teknike sa më shpejt të jetë e mundur”, por ka njoftuar gjithashtu se JD Vance, i cili po udhëheq negociatat për administratën e Trumpit, nuk do të udhëtojë më për në Zvicër.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë ka thënë vonë të enjten se “logjistika e këtyre negociatave nuk ka qenë kurrë e thjeshtë apo e parashikueshme. Prandaj zëvendëspresidenti nuk do të niset sonte”.

Anulimi i bisedimeve ndodhi aq papritur sa stafi i Vance dhe një grup i vogël gazetarësh ishin mbledhur tashmë në Joint Base Andrews, pranë Uashingtonit, në pritje të udhëtimit. Dhjetëra zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, anëtarë të stafit përgatitor dhe përfaqësues të mediave ndodheshin tashmë në Zvicër për të përgatitur ardhjen e pritshme të Vance.

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Mojtaba Khamenei, ka deklaruar të enjten se e kishte miratuar memorandumin e mirëkuptimit (MOU), pavarësisht disa rezervave që kishte, ndërsa në të njëjtën kohë Shtetet e Bashkuara hoqën zyrtarisht bllokadën ndaj porteve iraniane.

Megjithatë, agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim ka raportuar, para anulimit të bisedimeve, se negociatorët iranianë duhej të shihnin shenja konkrete të zbatimit të marrëveshjes së përkohshme nga ShBA-ja përpara se të fillonin rundet e ardhshme të bisedimeve të paqes. Ajo gjithashtu ka theksuar se nuk kishte konfirmim që delegacioni iranian do të udhëtonte drejt Gjenevës.

Anulimi i bisedimeve ka ardhur pas një raportimi nga rrjeti arab Al-Mayadeen, i cili konsiderohet politikisht i afërt me grupin militant libanez Hezbollah, sipas të cilit Teherani po vononte dërgimin e delegacionit të tij në Zvicër për shkak të fushatës së vazhdueshme ushtarake të Izraelit në Liban.

Izraeli, i cili nuk ishte pjesë e bisedimeve të paqes dhe është distancuar nga marrëveshja ShBA-Iran, ka vazhduar luftimet kundër Hezbollahut në Liban dhe ka kryer sulme të reja ajrore herët të enjten.

Memorandumi i mirëkuptimit parashikon “përfundimin e përhershëm” të luftës në Liban dhe garantimin e “integritetit territorial dhe sovranitetit” të vendit. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se pret një armëpushim të plotë në të gjitha frontet.

Megjithatë, qeveria e Benjamin Netanyahu ka vazhduar të theksojë se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga Libani, gjë që ka shkaktuar kritika të hapura nga Trumpi dhe zëvendëspresidenti JD Vance ndaj operacioneve izraelite.

Të premten, negociatori kryesor iranian, Mohammad Ghalibaf, ka paralajmëruar kundër çdo shkeljeje të marrëveshjes, duke deklaruar se “në rast të sjelljes së papërshtatshme, shkeljes së traktatit ose tejkalimit të kufijve nga pala tjetër, nuk kemi asnjë dyshim se armikut do t’i jepet një përgjigje vendimtare.”

Këto lëvizje diplomatike shtojnë pasigurinë mbi mundësinë e arritjes së një armëpushimi të qëndrueshëm për konfliktin rajonal, i cili ka shkaktuar të paktën 7,000 viktima, ka rritur ndjeshëm çmimet e energjisë dhe ka tronditur tregjet globale.

Khamenei ka deklaruar gjithashtu se Trumpi e kishte nënshkruar marrëveshjen “nga dëshpërimi” dhe ka sinjalizuar se negociatat e ardhshme nuk do të jenë të lehta.

Marrëveshja u jep negociatorëve 60 ditë kohë për të arritur një zgjidhje mbi statusin e programit bërthamor iranian, përveç rastit kur të dyja palët bien dakord për një zgjatje të afatit.

Ajo parashikon gjithashtu krijimin e një fondi rindërtimi prej 300 miliardë dollarësh për Iranin dhe stimuj të tjerë financiarë.

Të enjten, forcat amerikane kanë hequr bllokadën detare ndaj porteve iraniane, e cila kishte penguar lëvizjen e anijeve drejt dhe nga Republika Islamike e Iranit. Ushtria amerikane ka njoftuar se anijet luftarake amerikane “do të mbeten në zonën e përgjithshme”.

Megjithatë, lëvizja në Ngushticën e Hormuzit ka mbetur e kufizuar. Kjo ngushticë strategjike, e rëndësishme për transportin global të energjisë, ishte bllokuar nga Irani gjatë konfliktit.

Exit mobile version