Parlamenti Evropian ka miratuar raportin më të ri për Maqedoninë e Veriut, në të cilin evidentohen një sërë mangësish serioze që, sipas eurodeputetëve, vazhdojnë ta ngadalësojnë procesin e integrimit evropian të vendit, përcjell agjencia e lajmeve INA.
Raporti vë theks të veçantë te mungesa e progresit në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Eurodeputetët shprehin shqetësim për ndërhyrjet politike në sistemin e drejtësisë, dobësitë strukturore të institucioneve gjyqësore dhe mungesën e rezultateve konkrete në ndjekjen e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë.
Një nga vërejtjet më të ashpra lidhet me ndryshimet në Kodin Penal, të cilat, sipas raportit, kanë ulur dënimet dhe kanë shkurtuar afatet e parashkrimit për veprat e korrupsionit, duke krijuar perceptim të pandëshkueshmërisë për zyrtarët e lartë dhe duke dëmtuar besimin e qytetarëve në drejtësi.
Parlamenti Evropian shpreh gjithashtu shqetësim për përpjekjet e koordinuara për manipulimin e opinionit publik dhe përhapjen e narrativave anti-evropiane, si dhe për ndikimet e huaja në hapësirën mediatike. Në raport përmenden edhe ndikimet në rritje nga Serbia, Kina dhe Rusia, të cilat, sipas eurodeputetëve, mund të ndikojnë negativisht në orientimin evropian të vendit.
Kritika adresohen edhe në fushën e të drejtave të njeriut, ku theksohet nevoja për mbrojtje më të madhe të personave me aftësi të kufizuara dhe komunitetit LGBTQ+, si dhe për masa më efektive kundër gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit.
Në aspektin e mjedisit jetësor, raporti vlerëson se progresi mbetet i kufizuar, ndërsa ndotja e ajrit vazhdon të jetë një nga problemet më serioze në vend. Eurodeputetët kërkojnë masa urgjente për përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe ujit, si dhe investime më të mëdha në infrastrukturën komunale.
Sa i përket procesit të integrimit evropian, Parlamenti Evropian përsërit thirrjen për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, por njëkohësisht thekson se mosmarrëveshjet bilaterale nuk duhet të përdoren për të bllokuar procesin e anëtarësimit. Raporti nënvizon se identiteti, gjuha dhe kultura e popullit maqedonas nuk duhet të vihen në pikëpyetje dhe se procesi i anëtarësimit duhet të bazohet në meritë dhe në përmbushjen e kritereve evropiane.
Raportuesi për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Thomas Waitz, vlerëson se megjithëse janë ndërmarrë disa hapa pozitivë, progresi në reformat kyçe mbetet i pamjaftueshëm për shkak të mungesës së vazhdueshme të vullnetit politik dhe kapaciteteve institucionale.

