Koordinatori i Grupit Parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku, ka përshëndetur vendimin e miratuar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për funksionalizimin e regjimit hyrje-hyrje (One Stop Shop) në vendkalimin kufitar të Qafë Thanës me Shqipërinë.
Përmes një postimi publik, Qoku e cilësoi këtë si një tjetër premtim të realizuar, duke theksuar se pas vendkalimeve kufitare Bllacë dhe Jazhincë me Kosovën, tani po lehtësohet kalimi edhe në Qafë Thanë me Shqipërinë.
“Marrin fund pritjet e gjata dhe procedurat e panevojshme, duke mundësuar qarkullim më të shpejtë dhe më efikas në këtë pikë kufitare me rëndësi të veçantë”, ka shkruar Qoku.
Sipas tij, funksionalizimi i sistemit One Stop Shop përfaqëson një hap konkret drejt afrimit, bashkëpunimit dhe lidhjes më të fortë ndërmjet shqiptarëve në të dy anët e kufirit, duke lehtësuar lëvizjen dhe komunikimin ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Vendimi i miratuar nga Qeveria hap rrugën për zbatimin e modelit të kontrollit të përbashkët kufitar edhe në Qafë Thanë, një kërkesë e kahmotshme që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e kohës së pritjes dhe rritjen e efikasitetit të qarkullimit ndërkufitar.

