Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave, Mustafa Dauti, ka vlerësuar se rezultatet e arritura gjatë dy viteve të fundit të qeverisjes dëshmojnë një ritëm të ri zhvillimi dhe investimesh në vend.
Sipas tij, në këtë periudhë janë realizuar projekte të rëndësishme infrastrukturore, arsimore, ekonomike dhe sociale, duke theksuar se “për dy vite në pushtet është bërë më shumë sesa BDI për dy dekada”.
Dauti veçoi investimet milionëshe në komunat shqiptare, investimin historik prej 74 milionë eurosh për Spitalin Klinik të Tetovës, vazhdimin e punimeve në Korridorin 8, përfundimin e autostradës Shkup–Bllacë, si dhe investimin prej 42 milionë eurosh për kampusin e Universitetit Nënë Tereza.
Ai përmendi gjithashtu avancimin e projektit “One Stop Shop” në pikat kufitare, rritjen e pagave dhe pensioneve, vauçerët për studentët, mbështetjen për sektorin privat dhe bizneset e reja, akreditimin e Medresesë “Isa Beu”, rritjen e punësimit të shqiptarëve, miratimin e Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, si dhe Ligjin e Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Në deklaratën e tij, Dauti theksoi se gjatë kësaj periudhe nuk ka pasur skandale korruptive që kanë shoqëruar qeverisjet e kaluara, ndërsa nënvizoi edhe fitoren e 10 komunave dhe realizimin e qindra projekteve zhvillimore në to.
“Të gjitha këto dhe shumë projekte të tjera mbajnë vulën e VLEN-it”, ka deklaruar Mustafa Dauti.

