Sipas një portali kosovar të njohur si “Gazeta Minuti” mund të ketë një koalicion mes VV dhe LDK.
Ky portal pretendon se duke u thirru nga brenda strukturave të larta të Lidhja Demokratike e Kosovës, në këtë parti tashmë kanë nisur diskutime intensive lidhur me një ofertë të mundshme politike që pritet t’i prezantohet Lëvizja Vetëvendosje, në kuadër të negociatave për formimin e institucioneve të reja pas zhvillimeve të fundit politike në vend.
Sipas këtyre burimeve të supozuara nga ky portal, mësohet se oferta e diskutuar aktualisht parasheh që Lidhja Demokratike e Kosovës të marrë postin e Presidentit të Kosovës, një pozitë që konsiderohet prioritet strategjik për këtë subjekt politik në fazën e ardhshme institucionale.
Përveç kësaj, në paketën e propozuar thuhet se LDK po synon të sigurojë edhe katër ministri kyçe në qeverinë e ardhshme, si dhe pozitën e Zëvendëskryeministrit të Parë, çka do ta vendoste partinë në një rol të rëndësishëm vendimmarrës brenda ekzekutivit.
Ende nuk ka konfirmim zyrtar nga asnjëra palë, por zhvillimet e fundit pas zgjedhjeve kanë shtuar spekulimet se negociatat dhe kontaktet mes partive mund të intensifikohen në ditët në vijim, sidomos duke marrë parasysh faktin se asnjë subjekt nuk ka siguruar shumicë të mjaftueshme për të qeverisur i vetëm.

