Maqedoni

A po bëhet One Stop Shop Maqedoni–Shqipëri?

Takimi i zëvendësministrit Astrit Iseni me kryetarët e Strugës dhe Dibrës po ngjall pritshmëri për zgjidhjen e një prej problemeve më të mëdha kufitare të shqiptarëve.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Astrit Iseni, ka zhvilluar një takim me dy kryetarët e komunave që gravitojnë në pikat kryesore kufitare me Shqipërinë – kryetarin e Komunës së Strugës, Mendi Qyra, që lidhet me pikën kufitare të Qafë Thanës, si dhe kryetarin e Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, që graviton në zonën kufitare të Dibrës.

Ndonëse nga takimi nuk janë bërë publike detaje konkrete, fotografia e përbashkët dhe mesazhi i publikuar nga zëvendësministri Iseni – “Qytetarët në plan të parë. Bashkë me Strugën dhe Dibrën” – kanë shtuar pritshmëritë se në fokus të diskutimeve mund të ketë qenë edhe çështja e vendosjes së sistemit One Stop Shop në pikat kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kërkesat e qytetarëve për lehtësimin e qarkullimit kufitar janë të kahmotshme. Për vite me radhë, banorët e zonave kufitare, bizneset dhe sektori i turizmit kanë kërkuar një sistem modern që do të reduktonte pritjet e gjata dhe procedurat e dyfishta. Edhe pse në të kaluarën ka pasur disa tentativa për realizimin e këtij projekti, ato nuk kanë arritur të finalizohen.

Nëse kësaj radhe do të ketë një marrëveshje konkrete, One Stop Shop do të përfaqësonte një hap të madh për lëvizjen e lirë të qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe turizmin, veçanërisht gjatë sezonit veror kur kolonat në pikat kufitare mes dy vendeve arrijnë përmasa të konsiderueshme.

Për momentin mbetet të priten njoftimet zyrtare, por sinjalet e para nga ky takim po interpretohen si një mundësi reale që më në fund të zgjidhet një prej çështjeve më të ndjeshme për qytetarët në të dy anët e kufirit.

Exit mobile version