Kosovë Lajme

Albin Kurti: Arsim Zekolli do të na mungojë në jetën publike dhe shoqërore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur pikëllimin e thellë për ndarjen nga jeta të diplomatit dhe intelektualit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Arsim Zekolli.

Kurti bëri të ditur se lajmin për vdekjen e Zekollit e mori gjatë qëndrimit në Vjenë, ndërsa tha se së fundmi kishte vizituar familjen e tij në Bllacë të Suharekës për t’u shprehur ngushëllimet.

Sipas tij, humbja e Arsim Zekollit nuk prek vetëm familjen, miqtë dhe bashkëpunëtorët, por ndihet edhe në jetën publike e shoqërore, ku ai la gjurmë me mendimin, fjalën dhe angazhimin e tij intelektual.

Kurti vlerësoi lart veprën dhe shkrimet e Zekollit, duke theksuar se ai ishte një mendimtar i pavarur që nuk shkruante për të ndjekur opinionin publik, por për ta sfiduar atë me analiza të thella dhe reflektime të mirëpeshuara.

Në fund, kryeministri i Kosovës u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjes Zekolli, miqve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën dhe e vlerësuan Arsim Zekollin.

“U prehtë në paqe”, përfundoi Kurti.

Exit mobile version