Nëse do të dilnin prova se Khaled al-Aydi është larguar nga Libani me ndihmën e qeverisë, kjo mund të acaronte tensionet me bazën kryesisht shiite të Hezbollahut. Qeveria tashmë përballet me kritika për negociatat e drejtpërdrejta me Izraelin, i cili është përfshirë në luftime të ashpra me Hezbollahun që nga ditët e para të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.
Ndërsa avionët luftarakë izraelitë bombarduan periferitë jugore të Bejrutit në marsin e kaluar dhe banorët iknin të tmerruar, një burrë pa mundësinë e tij. Mes kaosit, ai arriti të largohej nga vendi ku mbahej i burgosur nga Hezbollahu dhe u drejtua për në kodrat e gjelbra prej nga ku shihej kryeqyteti libanez.
Atje, në lagjen luksoze diplomatike të Baabdës, ai u zhduk brenda portave të Ambasadës së Ukrainës.
Se ku ndodhet tani mbetet një mister, i lidhur me një lojë të vazhdueshme spiunazhi, ndërsa Hezbollahu përpiqet të zbulojë operativët e inteligjencës izraelite që kanë depërtuar në organizatën militante.
Burri, i identifikuar nga zyrtarët libanezë si Khaled al-Aydi, thuhet se është një refugjat palestinez nga Siria, i cili gjithashtu mban shtetësi ukrainase. Ai ishte ndaluar nga Hezbollahu në periferitë e Bejrutit dhe ishte akuzuar nga autoritetet libaneze se ishte pjesë e një komploti të dështuar të inteligjencës izraelite, për të kryer bombardime dhe atentate.
Detajet e arratisjes së al-Aydit dhe po ashtu të çështjes kundër tij në gjykatën ushtarake libaneze, janë dhënë nga tre zyrtarë gjyqësorë dhe dy zyrtarë të lartë të sigurisë në Liban, të cilët kanë folur në kushte anonimiteti. Gjithashtu, informacione ka dhënë edhe një zyrtar i lartë politik i Hezbollahut.
Zhdukja e al-Aydit mund të ketë pasoja politike për qeverinë libaneze, e cila ka qëndruar kryesisht e heshtur lidhur me këtë rast.
Nëse do të dilnin prova se al-Aydi është larguar nga Libani me ndihmën e qeverisë, kjo mund të acaronte tensionet me bazën kryesisht shiite të Hezbollahut. Qeveria tashmë përballet me kritika për negociatat e drejtpërdrejta me Izraelin, i cili është përfshirë në luftime të ashpra me Hezbollahun që nga ditët e para të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit.
Sipas një dokumenti qeveritar libanez të siguruar nga Associated Press, ambasada e Ukrainës u ka kërkuar autoriteteve libaneze në mars të lehtësonin largimin e al-Aydit nga vendi pasi ai kishte ikur nga paraburgimi i Hezbollahut. Por Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë së Libanit kishte refuzuar, duke deklaruar se kundër tij ishte lëshuar një urdhërarresti gjyqësor në shtator 2025.
Agjencia izraelite e inteligjencës Mossad ka refuzuar të komentojë. Edhe Ministria e Jashtme e Ukrainës nuk ka pranuar të japë komente.
Një zyrtar ukrainas që kishte njohuri për rastin ka thënë se al-Aydi nuk ndodhet në ambasadën e Ukrainës apo në kompleksin e saj në Liban. Zyrtari, i cili ka folur në kushte anonimiteti, nuk ka treguar se ku ndodhet al-Aydi dhe, për arsye sigurie të ambasadës dhe personelit të saj, nuk ka pranuar të thoshte nëse ai kishte qenë ndonjëherë në ambasadë apo nëse Ukraina e kishte ndihmuar të arratisej.
Rrjetet e inteligjencës izraelite
Duke përdorur burime njerëzore dhe mbikëqyrje të teknologjisë së lartë, Izraeli ka ndërtuar rrjete të gjera inteligjence në Liban. Kjo e ka ndihmuar të kryejë operacione të bujshme kundër Hezbollahut.
Në shembullin më të sofistikuar, Izraeli ka depërtuar në zinxhirin e furnizimit të Hezbollahut dhe i ka dërguar grupit militant të mbështetur nga Irani mijëra pejgjerë dhe radiolidhje të kurdisura me eksplozivë. Izraeli i ka aktivizuar nga distanca këto pajisje në shtator 2024, duke vrarë të paktën 37 persona. Vetëm disa ditë më vonë, sulmet ajrore izraelite vranë liderin afatgjatë të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, ndërsa ai fshihej në një bunker të fortifikuar rëndë.
Edhe para kësaj, inteligjenca izraelite brenda Hezbollahut i kishte mundësuar Izraelit të godiste udhëheqësit e lartë dhe komandantët në terren të grupit “me lehtësi relative”, sipas Nicholas Blanford, njohës i Hezbollahut në “Atlantic Council”.
Që nga lufta Izrael-Hezbollah e vitit 2024, Hezbollahu dhe autoritetet libaneze kanë shtuar përpjekjet kundër rrjeteve të dyshuara të spiunazhit. Rreth 50 persona janë dënuar dhe po vuajnë dënime me burgim, ndërsa të tjerë mbeten nën hetim, kanë thënë zyrtarët gjyqësorë.
“Ne kemi qenë të suksesshëm në zbulimin e shumë rrjeteve spiune dhe shteti gjithashtu ka qenë i suksesshëm në këtë drejtim”, ka thënë zyrtari politik i Hezbollahut, Wafiq Safa. Por, ka shtuar ai, “izraelitët janë gjithmonë duke punuar për të rekrutuar të rinj libanezë nga të gjitha komunitetet”.
Al-Aydi nuk përputhet me profilin e spiunëve të tjerë të dyshuar
Shumë nga rrjetet e dyshuara të spiunazhit kanë përfshirë anëtarë aktualë ose ish-anëtarë të Hezbollahut, ose persona me lidhje familjare me grupin.
Al-Aydi, në të kundërt, ishte një i jashtëm. Ai kishte shtetësi ukrainase përmes nënës së tij, sipas dokumentit qeveritar libanez të siguruar nga AP-ja. Nuk dihet se si ai dyshohet se është rekrutuar nga Izraeli.
Qindra-mijëra sirianë kanë ardhur në Liban si refugjatë gjatë luftës civile 14-vjeçare në Siri. Por al-Aydi ka hyrë në Liban në gusht 2025 me një fluturim nga Etiopia, sipas njërit prej zyrtarëve të sigurisë.
Ndërsa Hezbollahu ka nisur në vitet 1980 si një grup i vogël gueril që luftonte kundër pushtimit izraelit të Libanit Jugor, ai është zgjeruar shumë pas luftës së vitit 2006 me Izraelin, duke e bërë “më të lehtë për izraelitët të depërtonin”, ka thënë Blanford. Përfshirja e grupit në luftën civile siriane e ka bërë atë edhe më të ekspozuar, pasi standardet e rekrutimit u ulën.
Kriza ekonomike e Libanit gjithashtu ndihmoi përpjekjet izraelite për rekrutim, sipas Blanford.
Dosjet në gjykatën ushtarake të Libanit përshkruajnë operativë që paguheshin nga 2.500 deri në 20.000 dollarë për të siguruar informacione mbi depot e armëve dhe zyrat politike të Hezbollahut.
Shumë nga agjentët e dyshuar u rekrutuan nga drejtues izraelitë përmes rrjeteve sociale, kanë thënë zyrtarët gjyqësorë.
Një rast i njohur ishte ai i Mohammad Hadi Saleh, një këngëtar dhe interpretues fetar i njohur në qarqet e lidhura me Hezbollahun. Ai është arrestuar në maj 2025 dhe është akuzuar se i kishte dhënë Mossadit harta dhe koordinata të objekteve kyç të Hezbollahut që më vonë u goditën nga operacionet izraelite. Ai ndodhet në burg në pritje të gjykimit.
“Është ironike që ata (Hezbollahu) kaluan shumë kohë duke akuzuar kundërshtarët e tyre se ishin spiunë izraelitë, ndërsa rezultoi se spiunët ishin në fakt nga brenda organizatës dhe bazës së saj mbështetëse”, ka thënë Mohanad Hage Ali, studiues i lartë në Qendrën “Malcolm H. Kerr Carnegie” për Lindjen e Mesme në Bejrut.
Përpjekjet për rekrutim vazhdojnë. Gjatë luftës së fundit, Izraeli ka hedhur fletushka mbi Libanin me kode QR që, sipas ushtrisë libaneze, i drejtonin njerëzit te një njësi ushtarake izraelite e ngarkuar me rekrutimin e agjentëve.
Mendohet se al-Aydi është larguar nga vendi
Organizata “Siguria e Përgjithshme e Libanit” ka njoftuar në tetor se kishte zbuluar një rrjet që planifikonte bombardime dhe atentate në Liban, përfshirë një operacion që synonte aktivitetet për përvjetorin e parë të vdekjes së Nasrallahut. Autoritetet zbuluan një motoçikletë të mbushur me eksploziv dhe një veturë të modifikuar për të transportuar eksplozivë, kanë thënë zyrtarët e sigurisë dhe ata gjyqësorë.
Al-Aydi dhe gjashtë persona të tjerë, të gjithë libanezë, janë akuzuar. Njëri prej tyre gjithashtu është arratisur, ndërsa të tjerët ndodhen në një burg libanez në pritje të gjykimit. Vetëm al-Aydi mbahej nga Hezbollahu, me shumë gjasa sepse konsiderohej një kapje me vlerë të lartë.
Gjykata ushtarake pretendonte se operacioni ishte organizuar nga një drejtues i Mossadit që jetonte në Gjermani dhe komunikonte me të tjerët përmes aplikacioneve të koduara. Gjykata i ka dërguar një thirrje Ambasadës së Ukrainës, por ajo ka mbetur pa përgjigje.
Wafiq Safa ka thënë se kishte pasur një përpjekje të pasuksesshme për ta kontrabanduar al-Aydin nga Libani në Siri. Ai nuk ka dhënë detaje të tjera.
Dy zyrtarët e lartë të sigurisë në Liban kanë thënë se besohet që al-Aydi e ka lënë vendin. Nuk dihet ende nëse ai kishte kaluar në Siri, ku zyrtarët kanë thënë se nuk kishin asnjë informacion për të.
Rritja e tensioneve politike
Marrëdhëniet mes qeverisë libaneze dhe Hezbollahut janë në një pikë shumë të ulët.
Qeveria është zemëruar nga vendimi i njëanshëm i grupit militant për t’u përfshirë në një luftë tjetër me Izraelin, ndërsa Hezbollahu është i zemëruar që qeveria ka zgjedhur të negociojë armëpushimin dhe potencialisht një marrëveshje më të gjerë sigurie dhe politike drejtpërdrejt me Izraelin.
Arratisja e al-Aydit mund t’i përkeqësojë më tej tensionet dhe ta vendosë shtetin libanez në një situatë të vështirë.
Nëse autoritetet libaneze do të refuzonin ta lejonin al-Aydin të largohej nga vendi, Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina do të ishin “në pozitë të favorshme për të ushtruar presion të konsiderueshëm” për të siguruar lirimin e tij, ka thënë Hage Ali.
Nga ana tjetër, nëse shteti perceptohet se e ka lejuar arratisjen e al-Aydit, ai do të përballej me “zemërim publik, kryesisht nga shiitët libanezë” që mbështesin Hezbollahun, i cili mund ta shfrytëzojë këtë ndjenjë për të nxitur tensione të brendshme.

