Opinione

Patriotizmi fasadë i tradhtarit klasik, Edi Rama!

Shkruan Prof. Dr. Enver Bytyçi

Dje nga Fieri kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u mburr se në nëntor të vitit 2014 në Beograd kishte thënë që “Kosova është e pavarur dhe këtë realitet Serbia duhet duhet ta pranojë”! “Ky tha ai është patriotizëm”, duke kritikuar dhe reaguar ashpër ndaj protestuesve që e quajnë atë “tradhtar”! Pastaj shtoi se “patriotizëm është ta pranosh këtë të vërtetë”! Është kjo një deklaratë me të cilën Edi Rama përpiqet të fshehë të vërtetën. Dhe fshehja e të vërtetës nuk është patriotizëm, por skuthllëk, nëse i referohemi fjalës së zotit Rama dje në takimin e radhës me socialistët e Fierit.

Tani le të vijmë te të vërtetat e “patriotizmit” të Ramës dhe të zbulojmë Ramën lakuriq në qëndrimet dhe raportet e tij me kombin, atdheun dhe shqiptarët. Po! Edi Rama në vizitën e tij të parë në Beograd deklaroi se “Pavarësia e Kosovës është realitet që duhet të njihet nga Serbia”. Për këtë kam shkruar dy ditë pas asaj vizite dhe kam thënë se cila ishte intriga e kësaj deklarate. Ajo intrigë kishte të bënte me nevojën që kryeministri i Shqipërisë të fitonte zemrat e Kosovës, të politikanëve dhe qytetarëve të saj, me qëllim që ai të merrte “mandatin” e përfaqësimit të tyre në marrëdhëniet e ngushta që zhvilloi me Serbinë dhe presidentin e saj, Aleksandër Vuçiq. Koha provoi se kisha shumë të drejtë në këtë vlerësim. Po rishkruaj argumentet për këtë:

Së pari, Edi Rama kurrë më nuk guxoi ta përmendë sërishmi këtë fakt, pakthyeshmërinë e pavarësisë së Kosovës as në Beograd, as në Bruksel, askund. U mjaftua vetëm me atë që tha te “Provokacija” e Vuçiq, e cila frymëzoi Muç Nanon të ndërtonte një emsion televiziv. Përkundrazi, Rama iu përkushtua me mish e me shpirt realizimit të projekteve të Beogradit për Kosovën. Projektet që mbështeti ai ishin më makabret dhe më shkatërrimtaret për pavarësinë, tërësinë territoriale të Kosovës dhe sovranitetit të saj. U përkushtua drejtpërdrejt për ndarjen e Kosovës dhe e rekrutoi në këtë projekt mikun e tij, president të Kosovës, Hashim Thaçin. Për këtë kam shkruar një libër me 360 faqe dhe nuk kam ndërmend të lodhem për ta argumentuar më tej. Ndarja e Kosovës ishte projekt i shprehur dhe dakordësuar në takimin Rama-Vuçiq në Nish në vjeshtën e vitit 2016. Këtë e pohon dhe e provon Sonja Biserko. Kush beson se ndarja e territorit të Kosovës në favor të Serbisë është patriotizëm, le të besojë edhe se Edi Rama është patriot!

Së dyti, pas dështimit të përpjekjeve për ndarjen e Kosovës përmes ndryshimit të kufijve Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq u përkushtuan për të promovuar dhe ndërtuar atë që fillimisht e quajtën “Minishengeni ballkanik” dhe më pas “Open Balkan”! Kur Kosova nuk iu bashkua kësaj iniciative të dyshes Rama-Vuçiq, kreu i qeverisë shqiptare lëshoi mallkimet më të tmerrshme kundër qeverisë së Kosovës. Kush i kujton fjalimet mallkuese të Ramës nga Novi-Sadi, Beogradi, Shkupi, Ohri, Tirana apo Durrësi e di se çfarë “patriotizmi” ka shprehur kryeministri shqiptar në ato fjalime! Ato fjalime janë pasqyra e dytë e tradhtisë së turpshme kundër Kosovës dhe e përpjekjeve për ta izoluar dhe zhbërë atë. Por jo vetëm kaq. Pas miratimit verbal të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit të vitit 2023, Edi Rama në mënyrë të përsëritur i ka kërkuar Kosovës “Zbatoni ju asosacionin dhe obligimet tuaja dhe pastaj le të mos i zbatojë Serbia të vetat”. Ishte ky një kurth i radhës i mikut të Vuçiq në Tiranë. Sepse tashmë Kosova e di se zbatimi i obligimeve të veta pa njohjen e Serbisë, çon në kërkesa të reja të Beogradit. Kjo ka ndodhur që nga fillimi i bisedimeve për statusin e Kosovës. Rama donte t’ia jepte sërishmi shansin Aleksandër Vuçiq që të ngrinte kurthe të reja kundër Kosovës.

Së treti, Edi Rama ka vazhduar deri sot ta quajë veriun e Kosovës “tokë e askujt”, madje edhe atëherë kur qeveria dhe policia e Kosovës asgjësuan bandën terroriste serbe në Banjskë. Ka kritikuar të gjitha përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të vendosur sovranitet dhe për të forcuar integritetin territorial të shtetit në këtë pjesë të “tokës së askujt”! Dhe kjo shkonte në favor të Beogradit e jo të Kosovës. Që do të thotë se patriotizmi i Ramës idhte I rremë dhe me vepra u provua plotësisht në favor të Serbisë. Kjo është intriga më e shëmtuar e tradhtisë së tij.

Së katërti, Rama vendosi sanksione kundër Kosovës në fund të qershorit 2023, kur Albin Kurti promovoi kryetarët e komunave në veri të vendit. Pas Ramës vendosi sanksione Bashkimi Europian. Rama i paralajmëroi dhe mbështeti sanskionet e BE-së. Por koha i dha të drejtë Albin Kurtit. Nuk i dha as Edi Ramës, as Bashkimit Europian, as diplomatëve amerikanë të klanit Soros, të cilët dënuan veprimet e qeverisë së Kosovës në veri të saj. Por jo vetëm kaq! Ndërsa Kosovës i ngriti sanksione, duke anuluar bashkëpunimin e qeverive të të dy vendeve, në Samitin e NATO-s në Bruksel Edi Rama kërkoi që Beogradi të mos dënohej për atë pse Vuçiq nuk po vendoste sanskione kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. Shikoni tani patriotizmin e Edi Ramës në raport me Kosovën: – Për Kosovën sanksione dhe mbështetje e këtyre sanksioneve, për Serbinë mbrojtje nga sanksionet! Ky fakt na dëshmon të vërtetën që e shkruante në statusin e tij gazetari gjerman i FAZ, Martens, se “Edi Rama është kryeministri më i mirë (i Shqipërisë për Serbinë) që nga koha e Pashiqit (1912-1926). Të jesh kryeministri më i mirë për Serbinë dhe për Aleksandër Vuçiq dhe të jesh “patriot” për Shqipërinë e Kosovën, janë dy gjëra të papajtueshme.

Mbështetjen për Serbinë dhe qëndrimet kundër Kosovës të Edi Ramës i ka përshëndetur vetë presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. Ai, në një mbrëmjë zyrtare me të gjithë liderët e Komitetit Politik të Europës në Pragë (fundi i shtatorit 2022) gjatë përshëndetjes zyrtare pati thënë: “Unë, me vëllaun tim Edin bisedojmë për gjithçka dhe merremi vesh për çdo gjë, por me lidërët e Prishtinës nuk bisedojmë dhe nuk merremi vesh për asgjë”, duke u përpjekur kështu që miqësinë e tij me kryeministrin e Shqipërisë ta përdorë si alibi për të fajësuar lidershipin e Kosovës në marrëdhëniet me Serbinë. Dhe Edi Rama buzëqeshte, ndërkohë që presidentja Osmani ndjehej e turpëruar nga kjo qasje. Më pas edhe Osmani e “harroi” këtë sjellje të Edi Ramës. Por kjo nuk e ndryshon faktin se Edi Rama ka punuar dhe punon kundër Kosovës. E kjo është tradhti, nuk është patriotizëm.

Së pesti, patriotët ngrihen mbi egot e tyre dhe nuk komplotojnë për të përçarë faktorin shqiptar. Ndërkohë që përçarja ka qenë loja dhe veprimtaria e përhershme e Edi Ramës në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut dhe në Luginën e Preshevës e Mal të Zi. Që prej ardhjes së tij në pushtet ai përdori taktikën e përçarjes. Nuk mund të them se e bëri këtë me porosi ose urdhër të Beogradit, strategjia e të cilit është “Përça e sundo” te shqiptarët! Por ama Edi Rama e dinte faktin se është interes i Serbisë përçarja e faktorit politik shqiptar në Kosovë e në Ballkan. Dhe derisa ai e dinte këtë fakt, nuk do të duhej të nxiste shqiptarët kundër njëri-tjetrit. E bëri këtë për interesat e tij të pushtetit, duke u joshur nga eksperienca e Serbisë.

Pse Edi Rama u bë gjithnjë tradhtar dhe asnjëherë patriot? Sepse rendi pas pushtetit të tij. Fillimisht kuptoi se miqësia me Serbinë dhe Aleksandër Vuçiq do t’i sillte benefitet e pushtetit në Shqipëri dhe do t’i garantonte përkrahjen ndërkombëtare. Nuk gaboi në këtë skemë. Kur iu lëkundën pozitat e pushtetit dhe kur sivëllau I tij, Vuçiq, u vu përballë protestave dhe refuzimit ndërkombëtar, atëherë sërishmi për pushtet ndërroi padronë sipas stinës. Nga Erdogani, shkoi te izraelitët, sepse besoi që Bieniamin Netanjahu do të bëhej garant i afrimit të Ramës më Donald Trump. Më përpara, kur Meloni e kishte pulë e pite me Trump, i dha asaj territor shqiptar, mjafton që ajo të ndërmjetësonte te presidenti amerikan për ta pranuar Edi Ramën si kryeministër të Shqipërisë. Krahas kësaj sërishmi për pushtetin e tij dhe miqësinë me Donald Trump i fali Sazanin dhe Zvërnecin dhëndërrit dhe vajzës së presidentit amerikan. Thotë se bisedimet kanë filluar shumë kohë para se Trump të zgjidhej president. Por ligjin specific në parlament e miratoi pas zgjedhjes së Trump në Shtëpinë e Bardhë. Kujton ai se e fshin memorien e shqiptarëve aq lehtë.

Ngado që ta analizosh veprimtarinë e Edi Ramës për Kosovën dhe Shqipërinë, rezulton se ai gjithçka e ka bërë për pushtetin e tij personal dhe asgjë për shtetin, për Shqipërinë e aq më pak për Kosovën. Këtë lojë po e bën edhe me marrëveshjen e detit me Greqinë. Shet territor për pushtet. Fillimisht në Kosovë, pastaj edhe në Shqipëri. Po të ishte Abazoviç në pushtet, të njëjtën gjë do ta kishte bërë edhe me këtë vend. Do të punonte që Mali I Zi të rikthehej nën sovranitetin e Serbisë! Mjafton që të përfitonte pushtet e përmes pushtetit pasuri dhe prestigj!

Ky është “patriotizmi” i tradhtarit klasik, Edi Rama!

Exit mobile version